Inter me përmbysje të madhe triumfon ndaj Empolit, rimerr kreun e Seria A
Inter ka shënuar fitore të madhe në shtëpi ndaj Empolit, për të rimarr kreun e Seria A dhe që të vazhdojë garën e madhe për titull ndaj rivalit lokal, AC Milan.
“Neurazzurët” bënë përmbysje të madhe në rezultat nga 0:2 në 4:2 ndaj Empolit, në kuadër të xhiros së 36-të në Seria A.
Mysafirët e nisën për mrekulli takimin duke shënuar dy herë në portën e vendasve pas 28 minutave, por pastaj nisi rënia e madhe me lojtarët e Simeone Inzaghi që morën dominimin dhe kompletuan rikthimin e jashtëzakonshëm.
Zhvillohej minuta e pestë e ndeshjes, ku Empoli krijoi një kundëraksion të shpejtë me Zurkowski që asistoi për Pinamontin, i cili dërgoi topin në portën e "Neurazzurëve" (5').
Pas vetëm pesë minutave, Zurkowski shënoi golin e dytë për mysafirët, mirëpo që goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Vendasit kishin një mundësi të mirë që të barazonin rezultatin me arbitrin që akordoi penallti pas një ndërhyrje në zonë, por pas rishikimit të VAR-it, rezultoi që nuk ishte penallti, andaj arbitri ndryshoi vendim.
Sidoqoftë, Empoli nuk u ndal me kaq duke dyfishuar rezultatin përmes shqiptarit Kristjan Asllanit që shënoi nga afërsia pas një asistimi të Fiamozzit (28').
Pas dy golave të pësuara, Inter nisi këndelljen fillimisht duke ngushtuar rezultatin përmes Romagnolit, që realizoi autogol, ku në përpjekje për të larguar goditjen e Marcelo Brozovic, aksidentalisht e devijoi duke e dërguar në rrjetë (40').
Ndërsa, vetëm pesë minuta më vonë, Inter krijoi një tjetër aksion të shpejtë me qendërsulmuesin Lautaro Martinez që realizoi eurogol nga afërsia pas një asistimi të Barellas (45').
Inter vazhdoi të dominojë edhe në pjesën e dytë, me argjentinasin që realizoi golin e përmbysjes me një tjetër goditje vollej pas një topi të kthyer (64').
Fitoren e gjigantit nga Milani e vulosi sulmuesi Alexis Sanchez në minutën e fundit të shtesës pas një asistimi të Edin Dzekos (90+4’).
Kështu, me këtë rikthim të madh në rezultat, Inter rimerr kreun e Seria A me 78 pikë, derisa Empoli qëndron në pozitën e 14-të me 37 sosh.
Deri në fund të sezonit, janë mbetur edhe dy takime, me Interin që në sfidën e radhës do të jetë mysafir i Cagliarit.
Ndërkohë, sa i përket Empolit, ata i pret një sfidë jo e vështirë në letër kundër Salernitanas.