Ilkay Gundogan: Dua t’i fitoj të gjitha trofetë me Barcelonën
Mesfushori Ilkay Gundogan ka treguar se ka për synim t’i fitojë të gjitha trofetë në fanellën e Barcelonës.
Gjermani ishte i qartë në intervistën e fundit duke konfirmuar se vendosi t’i bashkohet katalunasve qysh para finales së Ligës të Kampionëve.
“E mora 100 për qind vendimin për t’iu bashkuar Barcelonës pas finales së Ligës të Kampionëve. Ishim në bisedime për një kohë të gjatë sepse kontrata ime po skadonte dhe kishte pasiguri mbi të ardhmen. Provova të mos merresha me këtë situatë, sepse ndoshta ishte ndeshja më e rëndësishme e karrierës”.
“E di që Barcelona dëshiron të jetë në nivelin më të lartë në Evropë dhe tani më ka mua, dikë që erdhi nga një klub që ka fituar Ligën e Kampionëve”.
“Sigurisht dua të arrij edhe më shumë. Gjëja ideale do të ishte ta përsërisim atë që skuadra arriti në La Liga vitin e kaluar dhe të bëjmë më mirë në Ligën e Kampionëve. Ky është qëllimi ynë”, nënvizoi mesfushori.
Barcelona është duke tentuar vazhdimisht të përforcohet mirëpo po has vështirësi shkaku i gjendjes financiare.
Presidenti i klubit Joan Laporta veçse ka konfirmuar se afati veror ende s’është mbyllur për blaugranasit dhe do të tentojnë të nënshkruajnë edhe me një mbrojtës të krahut të djathtë dhe një mesfushor mbrojtës.
