Liga e Kombeve: Hungaria e turpëron Anglinë, Gjermania ia shënon 5 Italisë - NACIONALE

Liga e Kombeve: Hungaria e turpëron Anglinë, Gjermania ia shënon 5 Italisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjermania ka shënuar fitore të thellë ndaj Italisë (5:2), Hungaria ka turpëruar Anglinë (0:4), derisa Holanda mposhti Uellsin (3:2) dhe Belgjika fitoi sfidën e vështirë ndaj Polonisë (0:1), ndeshje të cilat u zhvilluan të martën mbrëma në kuadër të Ligës së Kombeve.

Gjermania ka demoluar Italinë, duke e dominuar në çdo repart, për të arritur në fund një fitore me epërsi të thellë, e cila e rendit të dytën në grupin 3 të ligës A.

Vendasit shumë herët gjetën golin e epërsisë me Kimich në minutën e 10-të.

Më pastaj, në minutat tjera të pjesës së parë, mbizotërimi gjerman ishte gjithmonë i pranishëm. Kësisoj, Gjermania shënoi edhe golin e dytë nga pika e bardhë me mesfushorin Gundogan në minutën 45 + 4', pak çaste para se gjyqtari t'i dërgonte në dhomat e zhveshjes ekipet kombëtar.

Në pjesën e dytë vazhdoi ferri për Italinë. Rivali i tyre i përbetuar, Gjermania, ishte i pandalshëm. Ishte sulmuesi me përvojë, Muller, ai që trefishoi epërsinë në minutën e 51-të.

Mirëpo, për t'i deklasuar në tërësi lojtarët e udhëhequr nga Roberto Mancini, u përkujdes sulmuesi i Chelseat, Werder, i cili shënoi për rezultatin 4:0 në minutën e 68-të.

Brenda një minuti Gjermania shënoi edhe golin e radhës, gjithnjë me Muller, për ta thelluar rezultatin në 5:0, duke e fundosur Italinë.

Tek në fund Italia filloi të ngallej, atëherë kur me sulmusin e ri të saj, Gnonto, shënoi golin e nderit, gjegjësisht në minutën e 78-të, për 5:1.

Ndërsa, në fund të ndeshjes axurrët ia dolën edhe ata ta shënojnë golin e dytë, me mbrojtësin Bastoni në minutën 90 + 4', për ta ngushtuar rezultatin në 5:2.

Me këtë rezultat të thellë përfundoi edhe ndeshja. Kjo mes tjerash ishte njëra ndër fitoret më të thella që e ka shënuar ndonjëherë Gjermania ndaj Italisë.

Nga ana tjetër, Hungaria vazhdon me befasitë e njëpasnjëshme, ku këtë herë ka triumfuar bindshëm ndaj Anglisë.

Hungarezët zhvilluan lojë të bukur duke triumfuar me rezultat 0:4. Roland Sallai realizoi një gol të shkëlqyeshëm vollej pas një topi të kthyer (16'), për të kaluar mysafirët në epërsi.

Hungaria u tregua edhe më e fuqishme në pjesën e dytë, duke shënuar edhe tre herë të tjera. Ishte sërish Sallai që dyfishoi epërsinë pas një aksioni të shpejtë, ku u asistua nga Adam (70').

Ndërsa, për golin e tretë u përkujdes Zsolt Nagy që shënoi nga distanca me një gjuajtje fantastike (80').

Fitoren e thellë të Hungarisë e vulosi Daniel Gazdag një minutë pa përfunduar koha e rregullt me një parabolë të shkëlqyeshme (89’).

Për Anglinë gjërat u vështirësuan kur John Stones u ndëshkua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë.

Kështu, Hungaria vazhdon të jetë lider në grupin e tretë të ligës A, me shtatë pikë, derisa Anglia qëndron në fund me dy sosh.

Në ndeshjen tjetër të luajtur mes Polonisë dhe Belgjikës, mysafirët arrijtën të triumfojnë me rezultat minimal 0:1.

Vendimtar në fitoren e belgëve u tregua goli i shënuar nga sulmuesi Batshuayi, i realizuar në minutën e 10-të të takimit.

Në minutat e mbetur të ndeshjes, ishte gjithmonë Belgjika ajo që sulmoi më shumë dhe kishte më shumë iniciativë në fushë.

Në fund, Belgjika me plot meritë arriti të dalë me tri pikë të plota, duke shkuar në kuotën e 7 pikëve, për t'u renditur në pozitën e dytë tabelare pas katër ndeshjeve të zhvilluara.

Kurse, Holanda ka shënuar fitore shumë të vështirë ndaj Uellsit, duke siguruar pikët e plota në çastet e fundit.

Sulmuesi i talentuar Noa Lang kaloi Holandën në epërsi pas 17 minutave lojë pas një asistimi të Janssen.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, Gakpo dyfishoi rezultatin duke i dhënë qetësinë vendasve (23').

Mirëpo, Uells pastaj nisi të këndellet fillimisht duke ngushtuar epërsinë përmes Johnson (26').

I inkuadruari Gareth Bale u mendua që bëri heroin duke shënuar në kohën shtesë nga pika e bardhë (90+2').

Por, që në aksionin tjetër, Holanda gjeti golin e fitores përmes Memphis Depay (90+3').

Lajme të ngjashme