Higuain: Ka qenë privilegj të luaja pranë dy futbollistëve më të mirë si Messi dhe Ronaldo
Gonzalo Higuain para pak ditësh njoftoi pensionimin si futbollist, pasi e ndiente të nevojshme një gjë të tillë. Ai tregoi se ka qenë privilegj të luante në krah të dy futbollistëve më të mirë në botë sipas tij: Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Një karrierë e pasur me shumë tituj dhe gola ka qenë ajo e ish-sulmuesit argjentinas, Gonzalo Higuain.
Përveç që ka pasur mundësinë të luajë në klube evropiane që kanë fituar shumë trofe, së voni ai ishte transferuar në Inter Miami.
Para se t'i mbushë 35 vjet në dhjetor, ai vendosi që të largohet nga futbolli i luajtur, për t'ia dhënë kështu lamtumirën një profesioni që e deshi shumë.
Privilegji i të luajturit me Messin dhe Ronaldon
Jo të gjithë futbollistët e kanë parë si një lloj lehtësie të luash afër futbollistëve të kalibrit si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. I një mendimi më ndryshe është Higuain. Në një intervistë dhënë për "Goal" theksoi se fakti që ka luajtur afër dy lojtarëve si ata të dy ka qenë privilegj i njëmendtë.
“Shumë mund të flasin për një lloj presioni që mund të ndjehet duke luajtur pranë tyre (Messi dhe Ronaldo), por unë nuk jam dakord. Ata marrin përgjegjësinë kur gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur dhe për mua ka qenë një privilegj të kem mundur të luajmë me dy prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave”, ka thënë ai.
Për të do të ngelet gjithmonë në kujtesë që ka luajtur me ta në momentin më të mirë të karrierës futbolliste të tyre: “Do ta mbaj në mend gjithmonë faktin që kam luajtur me ata në kulmin më të lartë të karrierës së tyre. Dhe, tani nuk janë vetëm ish-lojtarë të skuadrës, por edhe shokë të mëdhenj.”
Gonzalo Higuain me Lionel Messin ka pasur mundësi të luajë me fanellën e kombëtares argjentinase për shumë vite. Së bashku me të suksesin më të madh ka pasur në Botërorin e vitit 2014, kur në finale është mposhtur nga Gjermania me rezultat 0:1, duke iu afruar për një fije peri trofeut më të çmuar të futbollit.
Ndërsa, me Cristiano Ronaldon ka luajtur qoftë në Real Madrid, ashtu edhe në Juventus. Te Real Madridi si ai, si ylli portugez – kanë pasur shkëlqimin e tyre më të madh, veçmas edhe sa i përket realizimit të golave dhe tek impakti në skuadër.
Në rastin e Higuainit, vetëm në Real Madrid ka shënuar 107 gola në 190 paraqitje në tërësi për gjashtë sezone sa ka qëndruar si pjesë e klubit mbretëror.

