Hetimet ndaj Juventusit s’kanë përfunduar, rrezikohet heqja e disa pikëve tjera në tabelë - NACIONALE

Hetimet ndaj Juventusit s’kanë përfunduar, rrezikohet heqja e disa pikëve tjera në tabelë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë Tribunali Italian Sportiv pranë Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), mori vendim që ta penalizojë me -15 pikë Juventusin në renditjen tabelore. Megjithatë, me kaq nuk përfundon, pasi çështja e pagesave së fshehta mund t’u heqë akoma më shumë pikë “bardhezinjve”.

Për shkak të mashtrimeve në kryerjen e dhjetëra transferimeve, që për qëllim kishin rregullimin e bilancit vjetor, Juventus u dënua me -15 pikë nga Tribunali Italian Sportiv, pas të gjitha dëshmive që u paraqitën.

Këto janë ditë shumë të rënda për klubin torinez që pas skandalit të “Calciopoli” më 2006, pasi kjo odiseadë pritet të zgjasë akoma. Tani një çështje tjetër është në shqyrtim e sipër, e ku gjyqësori ende nuk e ka dhënë fjalën e vet.

Pra, po flasim për marrëveshjen e fshehtë për dhënien e pagave të lojtarëve më 2020, në kohën e shpërthimit të Covid-19, gjë që frikëson jo pak ambientin juventin sipas medieve italiane.

Gazeta e afërt me Juventusin me seli në Torino, “TuttoSport”, ashtu sikur edhe vetë “La Gazzetta Dello Sport”, në numrat e sotëm të gazetave respektive paralajmëruan se dënimi me pikë mund të përshkallëzohet më tutje, pasi të shqyrtohet edhe çështja e pagesave të fsheta.

Një foto e dalur jashtë nga një “screenshot” i De Sciglios, ka krijuar shumë amolli. Ishte ish-kapiteni i Juventusit, Chiellini, ai që në grupin e lojtarëve në “Whatsapp” u kërkonte atyre këtë favor, në emër të klubit, meqë arkat e “Zonjës së Vjetër” ishin të dëmtuara pas krizës së Covid-19.

Chiellini pastaj zbuloi se, pas disa bisedave me presidentin e klubit Andrea Agnelli dhe Fabio Paraticin, “çfarë bëmë ne ishte të hiqnim dorë nga pagat tona për katër muaj, në mënyrë që klubi të mundë të merrte frymë, me premtimin se, kur të rifillonte sezoni, bazuar në atë se çfarë do të ndodhte, një pjesë e tyre do të na ktheheshin”.

Më pas, ai e pranoi: “E nënshkrova një letër, nuk e di nëse ekziston ende”.

Prokurorët ia kishin treguar atij marrëveshjen të cilën ai e kishte nënshkruar me klubin më 28 mars, ku theksohej se tri prej katër pagave mujore që lojtarët s’i kishin marrë, do t’iu paguheshin atyre fshehurazi.

“E njoh këtë dokument, nënshkrimi im është aty, e nënshkrova në shtëpinë e presidentit”, e pranoi Chiellini.

Ndërkaq në arenën evropiane nuk dihet nëse do të ketë impakt ky dënim. Nga shtypi italian raportohet se UEFA është në kontakt me Tribunalin Sportiv Italian, por nuk dëshiron që të ngutët në hapat e saj.

Lajme të ngjashme