“Më të fortë se kurrë”: Lojtarët e Juventusit reagojnë pas penalizimit të rëndë prej -15 pikëve në tabelë
Për shkak të mashtrimeve me një seri transferimesh dhe deklarimit të rrejshëm të bilancit vjetor, Juventus u dënua me një penalizim prej -15 pikëve. Mirëpo, lojtarët e saj po përçojnë mesazhe uniteti edhe pas kësaj furtune.
Juventus mbrëmë pranoi dënimin më të rëndë që prej periudhës famëkeqe të skandalit “Calciopoli” më 2006. “Zonja e Vjetër” për shkak se kishte operuar në mënyrë jotransparente në shitblerjen e lojtarëve dhe për shkak se deklaroi një bilanc vjetor që nuk përkonte me shifrat e vërteta – u dënua nga gjyqësori italian sportiv me -15 pikë në renditjen tabelore. Dënim ky që hyn në fuqi menjëherë.
Megjithatë, janë lojtarët e skuadrës torineze ata që po shprehin solidarizim me njëri-tjetrin dhe që po transmetojnë ndjenjën e unitetit edhe te tifozët.
Mesfushori i ri italian i “Zonjës së Vjetër”, Fagioli, në llogarinë e tij në “Instagram” publikoi një fotografi të lojtarëve juventinë të bashkuar, me përshkrimin “më të fortë se kurrë”.
Nuk vonoi shumë erdhi edhe reagimi i kapitenit aktual Bonucci: “Ne me juve. Sot, më shumë se kurrë është e rëndësishme të jemi skuadër. Të ecim përpara drejt rrugës sonë.”
Reagim pati edhe ish-kapiteni i skuadrës, Chielli, i cili publikoi një thënie: “Kur je pjesë e Juventusit, je përgjithmonë.”
Edhe futbollistët të tjerë publikuan fotografi kur shihen lojtarët e bashkuar, duke kërkuar që një unitet i tillë të vazhdojë edhe në javët në vijim, pavarësisht goditjes që mori klubi nga instanca gjyqësorë sportive, e që komprometon jo pak rrjedhën e sezonit.
