Hakmarrja e Calhanoglut: “Karma” kthehet – ishte e rëndë t’i shihja disa gjëra që nuk i prisja
Hakan Calhanoglu duket se e ka shijuar më së shumti fitoren bindëse të Interit 3:0 kundër Milanit në finalen e Superkupës së Italisë.
Mesfushori turk qëndroi në fushë për 84 minuta, para se t’ia linte vendin që ta shijonte pak emocionin e finales së tij të parë të këtij niveli edhe përfaqësuesit shqiptar, Kristjan Asllani.
Thumbimet dhe polemikat pafund që kanë shoqëruar Calhanoglun gjatë këtyre dy vjetëve duket se kanë peshuar shumë edhe në ndeshjen e sotme për të.
Ai është shfaqur më i lumtur se asnjëherë më parë, duke shpërthyer edhe një duf të brendshëm, i cili ishte akumuluar pas provokimeve që tifozët dhe disa lojtarë të Milanit ia kishin bërë atij nga distanca me rastin e festimit të titullin kampion gjatë majit të vitit të kaluar.
“Unë preferoj të qëndroj i heshtur, por ka qenë e rëndë për mua të shihja ca gjëra që nuk i prisja. Mirëpo, ‘karma’ kthehet’”, potencoi Calhanoglu në fund të ndeshjes”, tha ai.
Për 28-vjeçarin turk trofeu që Inter e fitoi për herë të dytë rresht, respektivisht ai i Superkupës së Italisë, është më i rëndësishëm për të si lojtar sesa për vetë skuadrën.
“Është një fitore shumë e rëndësishme për ne. Për mua akoma më shumë. Jam shumë i lumtur duke u falënderuar edhe bashkëlojtarëve të mi dhe tifozëve, të cilët erdhën këtu. Kemi fituar 3:0. Nuk mund të shtojmë më shumë”, përfundoi ai.
Duhet theksuar faktin se tifozët e Milanit asnjëherë nuk e kanë mirëkuptuar dhe falur vendimin e tij për të kaluar drejt rivalit lokal të urryer, pasi nuk arriti që të gjente gjuhën e pajtimit me drejtuesit e klubit “Kuqezi” për vazhdimin e kontratës me kushtet që kërkonte ai.
Ai ishte transferuar më 1 korrik të vitit 2021 tek Interi me parametra zero. Transferim ky që kishte acaruar mjaft shumë tifozët e Milanit.
