Hakimi: Nëna ime ishte pastruese e babai shitës, sot luaj vetëm për ta
Ylli i Marokut, Achraf Hakimi, ishte një nga meritorët në kualifikimin e kombëtares së tij në çerekfinale, ku eliminuan në penallti Spanjën, me mbrojtësin anësor që gjuajti me ‘panenkë’ 11-metërshin vendimtar. Ai pas ndeshjes ka treguar për prindërit e tij për të cilët thotë se tani luan vetëm për ta.
Ashtu si 800,000 të tjerë, Hakimi është pjesë e diasporës së rëndësishme marokene në Spanjë. Ai u rrit në një familje me të ardhura shumë të ulëta në periferinë industriale të Madridit, Getafe. Udhëtimi i përditshëm në akademinë Castilla të Real Madridit e ekspozoi atë ndaj standardeve shumë më të larta të jetesës, megjithatë ai ende e përshkruan fëmijërinë e tij si "të lumtur" me disa "momente të vështira".

“Nëna ime ishte një pastruese dhe babai im ishte një shitës në rrugë,” tha ai në programin televiziv spanjoll, El Chiringuito. “Ata dhanë jetën për mua. Ata më hoqën shumë gjëra nga vëllezërit e motrat e mia që të kisha sukses. Sot luaj për ta.”

Maroku është në mesin e tetë skuadrave më të mira në Katar dhe në katër ndeshjet e zhvilluara nga ata, nuk kanë pësuar gol nga asnjë kundërshtarë, përveç një autogoli dhe Hakimi mund të krenohet për këtë të arritur.
Pas fitores së tyre ndaj Spanjës, ata tani do të luajnë me një kombëtare tjetër të fortë, për të kërkuar gjysmëfinalen. Maroku përballet me Portugalinë të shtunën.
