"Haalandi nuk është njeri” – Ylli i Manchester City e çmend portierin e Copenhagen
Aftësitë e jashtëzakonshme të Erling Haalandit dhe forma e tij e paparë me Manchester City kanë bërë që portieri i Copenhagen Kamil Grabara ta pyes veten nëse sulmuesi norvegjez është qenie njerëzore.
Haalandi i shënoi dy gola në fitoren bindëse 5:0 të City kundër klubit danez, duke e çuar në 19 numrin e golave të shënuar në 12 ndeshjet e para si lojtar i kampionit anglez.
Trajneri i City Pep Guardiola vendosi ta nxjerrë nga loja 22-vjeçarin pas 45 minutave të parë të ndeshjes së Ligës së Kampionëve, duke ia mohuar një tjetër het-trik të mundshëm, i cili do të ishte i katërti për të që prej se iu bashkua klubit këtë verë nga Borussia Dortmundi.
Duke folur pas ndeshjes, bashkëlojtari i tij Jack Grealish tregoi për një bisedë që e kishte me portierin Grabara për Haalandin gjatë përballjes së mbrëmshme.
“Portieri më tha diçka derisa po kthehesha mbrapa. Ai më tha, ‘ai (Haaland) nuk është njeri!’ unë i ktheva, ‘mos ma thuaj!’ Shpresoj se Haaland mund ta bartë këtë formë dhe të na udhëheqë drejt lavdisë”, tha Grealish.

Grealish shtoi: “Është e pabesueshme, sinqerisht. Kurrë në jetën time nuk kam parë diçka të tillë. Vetëm po qeshja pas golave të tij.”
Paraqitja e tij në triumfin e thellë 5:0 të skuadrës së tij kundër ekipit danez të mërkurën ishte dëshmia më e fundit e aftësive të tij të shkëlqyera për të shënuar gola.
Sikur mos të ishte për portierin Grabara, Haalandi do të kishte shënuar më shumë gola. Sulmuesit 22-vjeçar nga Norvegjia i nevojitej vetëm edhe një gol për ta shënuar het-trikun e katërt në gjashtë ndeshje në shtëpi për City.
Guardiola konfirmoi pas ndeshjes se e zëvendësoi herët Haalandin për ta pushuar, për shkak të orarit të ngjeshur të ndeshjeve.
“Ai ka luajtur shumë minuta. Ndeshjen e kishim nën kontroll. Nëse loja do të ishte e barabartë, Erling do të kishte vazhduar të luante, por ishte më mirë ta pushoni për ndeshjen me Southamptonin të shtunën”, tha Guardiola.

