Pep Guardiola e mohon se Erling Haaland ka klauzolë për t’iu bashkuar Real Madridit më 2024 - NACIONALE

Pep Guardiola e mohon se Erling Haaland ka klauzolë për t’iu bashkuar Real Madridit më 2024

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, i ka quajtur të pavërteta raportimet e mediave spanjolle se Erling Haaland e ka një klauzolë në marrëveshjen me kampionin anglez që ia mundëson t’i bashkohet Real Madridit në vitin 2024.

Duke folur pas fitores së City 5:0 kundër Copenhagen të mërkurën në Ligën e Kampionëve – në të cilin Haaland i shënoi dy gola – Guardiola i hodhi poshtë thashethemet se Madridi kishte ujdi ekskluzive për të nënshkruar më të.

“Nuk është e vërtetë. Ai nuk ka klauzolë lirimi për t’iu bashkuar Real Madridit, apo ndonjë ekipi tjetër”, tha Guardiola.

“A jam i bezdisur nga thashethemet? Jo, patjetër që jo. Thashethemet dhe fjalët e njerëzve nuk mund t’i kontrollosh, prandaj ne gjithmonë duhet të brengosemi për atë që mund ta kontrollojmë”, nënvizoi ai.

Guardiola shtoi: “E rëndësishme është se ai është përshtatur shumë mirë (në City). Ndiej se ai është shumë i lumtur këtu dhe kjo është më e rëndësishmja”.

Nuk është habi që përflitet për kalimin e Haalandit te gjiganti spanjoll duke e parë formën e tij fenomenale për kampionin anglez, siç e tregojnë 19 golat që i ka shënuar në vetëm 12 paraqitjet e para prej se iu bashkua klubit në verë nga Borussia Dortmundi.

Paraqitja e tij në triumfin e thellë 5:0 të skuadrës së tij kundër ekipit danez të mërkurën ishte dëshmia më e fundit e aftësive të tij të shkëlqyera për të shënuar gola.

Madje edhe bashkëlojtari i tij Jack Grealish ka mbetur i mahnitur nga paraqitja e tij.

“Është e pabesueshme, sinqerisht. Kur nuk kam parë diçka të tillë në jetë. Për golin e parë dhe atë të dytë, vetëm qeshja. Ai është gjithmonë aty ku duhet”, tha Grealish.

Sikur mos të ishte për portierin Kamil Grabara, Haalandi do të kishte shënuar më shumë gola. Sulmuesit 22-vjeçar nga Norvegjia i nevojitej vetëm edhe një gol për ta shënuar het-trikun e katërt në gjashtë ndeshje në shtëpi për City.

Fajtor kryesisht për këtë është Guardiola, i cili e nxori nga loja Haalandin menjëherë pas pjesës së parë.

Lajme të ngjashme