Haaland: Guardiola është trajneri më i mirë në botë
Erling Haaland është protagonisti kryesor i Manchester Cityt në këtë fillim sezoni. Ai në një dokumentar personal ka folur për Pep Guardiolan dhe klubin e ri të tij.
Sulmuesi norvegjez është vetëm 22-vjeç, por me golat që po shënon dhe me paraqitjet ku gjithmonë bën dallimin, ka bërë të gjithë për vete në Angli.
Tashmë është publikuar edhe një dokumentar që i dedikohet tërësisht vendimit të tij për t’u transferuar në Manchester City, me titullin “Haaland, vendimi i madh”.
“Asnjëherë nuk kam marrë një vendim për të shkuar në një klub varësisht nga emri i trajnerit, por është një përparësi e madhe të kesh Guardiolan te Manchester City. Ai është më i miri në botë”, nënvizoi ai.
Haaland zbuloi edhe detaje tjera se kur kishte ndarë mendjen që t’i bashkohej kampionit në fuqi të Anglisë.
“Zgjedhjen time e kam bërë në javën e dytë të muajit prill. Manchester City ma kishte ofruar projektin më të mirë sportiv që është për momentin në botë dhe pikërisht aty do të rritem edhe më shumë”, tha ai.
Ai nuk hezitoi që të tregojë edhe prapaskenat e ndeshjes paraprake kur Borussia Dortmundi ishte takuar me Manchester Cityn në Ligën e Kampionëve.
“Pas asaj ndeshje, 15 veta më kanë shkruar që duhej të vija. Stones, Dias, Gundogan, Foden, De Bruyne...”, potencoi ai.

Haaland pranon se edhe paratë kanë qenë faktorë në zgjedhjen e tij
Tutje, Haaland e pranoi rëndësinë e aspektit material në industrinë e sotme të futbollit, duke u treguar shumë i sinqertë.
“Kur kam qenë fëmijë, njësoj si të gjithë, ëndërroja të shndërrohesha në futbollistin më të mirë në botë dhe që të përfitoja para për të jetuar. Tani jam duke e jetësuar një gjë të tillë. Besoj që paratë janë të rëndësishme për të gjithë, edhe pse nuk ato nuk do të duhej të ishin motivimi kryesor për të cilin dikush luan futboll”, pohoi sulmuesi 22-vjeçar.
Ai bëri edhe një shembull të qartë në lidhje me këtë çështje: “Mirëpo është e qartë se nëse m’i ofronin 5000 korona (monedhë norvegjeze) për një punë dhe pastaj 10,000 të tjera për të bërë të njëjtën gjë, e zgjedhi të dytën. Është zgjidhje logjike për t’u bërë.”
Erling Haaland deri më tani në Premierligë ka shënuar 11 gola në 7 paraqitje, duke shënuar rekord në kampionatin anglez. Vendimtar ai është treguar edhe në Ligën e Kampionëve në dy paraqitjet që ka bërë Manchester City, duke shënuar 3 gola në 2 paraqitje.
Skuadrës së Pep Guardiolas blerja e kartonit të sulmuesit norvegjez nga Borussia Dortmund i kushtoi 60 milionë euro.

