Guardiola: Haaland është futbollisti perfekt për ta ushtruar - NACIONALE

Guardiola: Haaland është futbollisti perfekt për ta ushtruar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pep Guardiola ka përgëzuar qasjen e Erling Haalandit, duke u shprehur i lumtur që ka në radhët e veta një sulmues të nivelit të këtillë.

Sulmuesi norvegjez, Haaland, është protagonisti kryesor deri më tani i Manchester Cityt në këtë fillim sezoni, duke ndihmuar skuadrën me anë të golave të tij që të arrijë fitore të çmuara.

Sot, Pep Guardiola gjatë një konference për shtyp në prag të ndeshjes në udhëtim kundës Wolves që është në program për ditën e nesërme, ka folur sërish rreth sulmuesit të spikatur që gjatë verës e transferoi nga Borussia Dortmund. “Është një sulmues i mahnitshëm – e kam thënë disa herë. Ai është personi perfekt për ta ushtruar”, komentoi ai.

Trajneri spanjoll, në përjashtim të Ibrahimovicit, në të kaluarën nuk është se ka preferuar profile të sulmuesve si ai i Haalandit, por paraqitjet e tij të jashtëzakonshme e kanë bërë për vete.

Sulmues perfekt për një trajner

Erling Haaland me 10 golat e tij në Premierligë ka qenë një makineri golash, i pandalshëm, i cili ka thyer çdo barrikadë dhe mur të mbrojtjeve kundërshtarve. Për më tepër, ai deri më tani llogaritet edhe si futbollisti me më së shumti gola të shënuar në kampionatin anglez.

Për të gjithë këtë formë Guardiola ka zgjedhur fjalët më të mira për futbollistin e tij: “Për moshën që ka gëzon ambicie që të jetë akoma më i mirë dhe mendoj se do t’ia dalë. Mbi të gjitha, është një djalë i mbarë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme."

Në lidhje me ndikimin që ka pasur në Premierligë sulmuesi Haaland, Pep Guardiola u tregua shumë i sinqertë para gazetarëve, duke thënë se nuk është që kanë shtuar gjëra tek ai, pasi i të njëjtit kalibër ishte edhe më herët kur luante për Borussia Dortmundin.

“Kualiteti që ka tani është ai që kishte edhe para se të vinte këtu, vetëm se ka vazhduar të bëjë atë çfarë bënte gjithmonë. Nuk është se kemi shtuar shumë gjëra në lojën e tij”, tha Pep Guardiola.

Përveç që është golashënuesi me më së shumti gola në Premierligë, 22-vjeçari ka bërë paraqitje shumë të mira edhe në Ligën e Kampionëve. Ai së bashku me Lewandowskin prinë në listën e golashënuesve në kompeticionin më të madh evropian, me 3 gola të shënuar.

Njashtu, ai ishte vendimtar në ndeshjen e fundit kundër Borussia Dortmundit në “Etihad”, kur mundësoi që me anë të një goli të shënuar me akrobaci, të bëhej rikthesa në rezultat, duke ia mundësuar tre pikët e radhës skuadrës së tij, sa për ta konsoliduar pozitën e parë në grupin përkatës.

Me vetëm një pikë mbrapa në Premierligë, tani fokusi i Manchester Cityt është që ta rikthejë sa më shpejt lidershipin në kampionatin anglez, për ta dëshmuar edhe një herë që mbetet skuadra për t’u mposhtur edhe për sezonin e sivjem.

Lajme të ngjashme