Haaland: E dija se do të bëhesha hit në Premierligë, tani e kuptoj pse thonë që është liga më e fortë
Sulmuesi i Manchester City, Erling Haaland, ka thënë se priste të ishte i suksesshëm menjëherë në Premierligë.
Përfaqësuesi i Norvegjisë, i cili i ka shënuar 52 gola në sezonin e parë në Angli, këmbëngul se ishte i bindur që do të shënonte gola vazhdimisht në fanellën e Cityt.
Ai shënoi rekord historik në ligën elitare angleze duke shënuar 36 gola këtë sezon, më shumë se kushdo tjetër brenda një sezoni në historinë e kësaj lige.
"Nuk kisha dyshime. E dija se do të luaja mirë dhe e dija se do të luaja në një ekip të mirë, prandaj nuk kishte vend për dyshime" tha Haaland për Sky Sports.

"Nuk prisja të ishte kaq mirë (shënimin e 52 golave) të jem i sinqertë, por prisja të shënoja gola. City i shënoi 100 gola sezonin e kaluar dhe për mua të vija në këtë ekip, natyrisht se prisja të shënoja, por jo kaq shumë."
Ai shtoi: "Tani e kuptoj pse njerëzit thonë se kjo është liga më e mirë, sepse vërtet ashtu është. E dua, më pëlqen të luaj këtu. Më pëlqejnë duelet, duelet gjatë vrapimit dhe të tjera. Po e shijoj".
City e bleu Haalandin nga Borussia Dortmundi për 60 milionë euro sezonin e kaluar.
Ai tani synon tripletën me skuadrën e Pep Guardiolës, pasi e ka fituar tashmë Premierligën dhe është në finale të FA Cup dhe të Ligës së Kampionëve.