Guardiola: Vazhdimi i kontratës nga Haaland tregon besim, pavarësisht akuzave ndaj klubit
Pep Guardiola ka thënë se nënshkrimi i kontratës së re nga Erling Haaland, tregon besimin që sulmuesi ka në Manchester Cityn.
Të premten, Haaland nënshkroi një marrëveshje rekord nëntë vite e gjysmë, që do ta mbajë atë në Etihad Stadium deri në vitin 2034.
Kjo vjen në një kohë kur City po lufton me akuzat e Premierligës për keqmenaxhimin financiar, të cilat mund të çojnë në rënie nga Premierliga, nëse shpallen fajtorë.
Guardiola sugjeroi se kohëzgjatja e marrëveshjes së Haaland, duke pasur parasysh pasigurinë rreth klubit, është e rëndësishme.
“Është besim nga Erling për klubin”, tha Guardiola.
"Klubi e di se sa profesionist është ai. Në 10 vjet nuk e dini kurrë se çfarë do të ndodhë. Është ajo që ai dëshironte. Kur një lojtar vendos të nënshkruajë këtë lloj kontrate -- të pa bërë më parë -- kjo tregon se sa shumë dëshiron të jetë këtu. Në 10 vjet mund të ndodhin shumë gjëra. Është dëshmi e besimit në klub."
Marrëveshja e Haaland, e nënshkruar kur ai mbërriti nga Borussia Dortmund në vitin 2022, do të skadonte në vitin 2027.
Guardiola u informua për zgjatjen e tij të fundit nga drejtori i futbollit Txiki Begiristain dhe pranoi se nuk e besonte kur iu tha lajmi për herë të parë.
“Unë thashë ‘mund ta përsërisësh?’”, tha Guardiola kur u pyet për reagimin e tij të parë kur e mori vesh.
"Ai [Begiristain] më tha, dhe unë i thashë "je i sigurt?" Është një lajm i mirë, do të thotë shumë se ai është ende i ri. Jam i sigurt se me maturinë dhe duke luajtur ndeshje, ai do të përmirësohet edhe më shumë, natyrisht."