Guardiola tregon pse e largoi De Bruynen nga loja kundër Bayernit: Kjo është cilësia ime më e mirë
Pep Guardiola ka shpjeguar se e largoi nga loja mesfushorin Kevin de Bruyne gjatë fitores bindëse kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve për ta freskuar skuadrën.
City është buzë kalimit në gjysmëfinale të garën më të madhe evropiane për klube për herë të tretë radhazi, falë golave nga Rodri, Bernardo Silva dhe Erling Haaland ndaj kampionit të Bundesligës të martën në Etihad.
Megjithatë, kur rezultati ishte 1:0 për skuadrën e tij, trajneri spanjoll e zëvendësoi mesfushorin belg me sulmuesin Julian Alvarez në minutën e 68-të, duke i lënë gojëhapur tifozët në stadium, të cilët po ashtu druheshin se De Bruyne mund të kishte pësuar lëndim në gju.
Duke folur pas ndeshjes, Guardiola zbuloi se nuk bëhej fjalë për ndonjë lëndim por ishte vendim i tij për ta freskuar sulmin.
“Ne kishim nevojë për energji shtesë, prandaj edhe vendosa. Unë jam këtu për të marr vendime dhe i marr ato – kjo është cilësia ime më e mirë”, tha Guardiola.

Disfata 3:0 në duart e kampionit të Premierligës ishte më e thella që Bayerni e ka pësuar në gjashtë vitet e fundit në Ligën e Kampionëve.
Guardiola tha se ndeshja e mahnitshme mbrëmë e bëri të plakët për një dekadë, por e cilësoi rezultatin si të jashtëzakonshëm.
“Emocionalisht jam i shkatërruar”, tha Guardiola pas ndeshjes.
“Jam plakur për 10 vite sot. Ishte ndeshje tepër kërkuese. Tani më duhet të çlodhem, djemtë e kanë një ditë pushim, pastaj përgatitemi për Leicesterin (të shtunën në Premierligë)”, shtoi ai.
Spanjolli nuk beson se gjithçka ka mbaruar, pavarësisht rezultat të thellë, para ndeshjes së kthimit në Munih.
“E di saktësisht se çfarë duhet të bëjmë atje (në Munih). Nëse nuk luan shumë mirë, ata janë në gjendje t’i shënojnë një, dy, tri gola. E di këtë. Lojtarët e dinë këtë. Është rezultat i jashtëzakonshëm, por duhet ta luajmë lojën me personalitet të madh”.