Guardiola: Presion? Nuk mund ta imagjinoni sa më paguajnë
Trajneri i Manchester Cityt Pep Guardiola thotë se paguhet shumë prandaj edhe e ndjen presionin në krahë.
City po kalon periudhën më të keqe që kur Guardiola mori drejtimin, ngase s’dinë për fitore në gjashtë ndeshjet e fundit – ku kanë të numëruara pesë humbje.
Në një intervistë për “Sky Sports”, Guardiola e ka komentuar këtë periudhë të rëndë si dhe presionin e madh në të cilin gjendet.
“Rekordi më i keq që kur je bërë trajner? E kam ndjerë kur i kemi fituar katër Premierliga radhazi, por jo tani. Kurrë nuk kam menduar se të fitojmë do të jetë përjetësisht”.
“Presion? Nuk mund ta imagjinoni se sa paguhem, vjen me pagë. Nëse nuk dua presion atëherë jap dorëheqje dhe shkoj në shtëpi, kësisoj nuk kam peshë në krahë. Të gjithë trajnerët e kanë këtë”.
“Liverpooli? Do të doja të thosha se do të shkojmë të fitojmë në Anfield dhe pastaj do t’i fitojmë 20 ndeshje radhazi, mirëpo në situatën që jemi nuk është e mundur. Është koha të vuajmë. Nuk duam të qëndrojmë kështu për një periudhë të gjatë”.
“Objektivat për këtë sezon? Duke e ditur realitetin, nuk mund të vendosim objektiv që ta fitojmë Premierligën, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup. Është e panevojshme ngase në gjashtë ndeshjet e fundit s’e kemi fituar as edhe një”.