Guardiola paralajmëron se ajo që po i ndodh Man Unitedit mund t’i ndodhë edhe Manchester Cityt
Pep Guardiola ka paralajmëruar se edhe Manchester City mund të përballet në të ardhmen me vështirësitë e tanishme të Manchester Unitedit, nëse nuk merr mësime të rëndësishme nga kjo që po i ndodh rivalit të vet.
Të kaltrit e dëshmuan përsëri në përballjen e fundjavës me Unitedin se janë mbretërit e Mançesterit, duke fituar me lehtësi 4:1 në Etihad Stadium.
City është në kërkim të tre titujve këtë sezon – pasi i fituan 11 trofe që prej se Sir Alex Ferguson u largua nga Old Trafford më 2013 – por Guardiola këmbëngul se suksesi nuk është i garantuar.
Ai i bëri thirrje klubit të mësojë nga vështirësitë me të cilat është përballur rivali i tyre në dekadën e fundit.
“Klubi [City] është shumë i qëndrueshëm në atë që e bën, në mënyrën sesi dëshiron të luajë, por shembulli më të cilin duhet të jetojmë është se Unitedi nuk ka mundur të priste para një dekade se do të jetonte pa asnjë titull në Premierligë gjithë këto vite”, tha Guardiola.
Ai shtoi: “Ne duhet të mësojmë. Mund të na ndodhë edhe neve këtu. Nuk mund të besojmë se, vetëm sepse jemi kaq të mirë sot, nuk do të na ndodhë në të ardhmen. Mund të ndodhë, shumë shpejt bile”.
Fergusoni u largua nga Unitedi në vitin 2013, pasi ia kishte fituar klubit 13 tituj në një hapësirë kohore prej 20 viteve të jashtëzakonshme.
Ai e udhëhoqi klubin edhe drejt dy titujve në Ligën e Kampionëve po ashtu, një trofe të cilin Guardiola ka dështuar ta fitojë deri tani me Manchester Cityn.
Hera e fundit kur Unitedi e fitoi një trofe ishte vitit 2017 dhe klubi rrezikon ta mbyllë edhe vitin e pestë radhazi pa trofe në vitin 2022.