GSP: Kosova e largoi Mirlind Kryeziun nga lista ndaj Rumanisë duke menduar se është i suspenduar
Kombëtarja e Kosovës thuhet se ka bërë një gabim amator të madh duke e larguar mbrojtësin Mirlind Kryeziu nga lista për ndeshjen ndaj Rumanisë duke menduar se është i suspenduar.
Mediumi rumun “gsp.ro” raporton se Kosova ka bërë një huqje shkaku që kanë menduar se rregullat e Kampionatit Evropian janë njësoi si të Ligës së Kombeve, meqenëse Kryeziu ka marrë dy kartonë të verdhë.
“Kosova bëri një gabim të madh në skuadrën finale për ndeshjen ndaj Rumanisë. Mbrojtësi i Zurihut, Mirlind Kryeziu, që pritej të ishte në mbrojtje pranë kapitenit Amir Rrahmani nuk ndodhet aty”.
“Arsyeja? Sipas informacioneve tona në Kosovë, kundërshtarët e Rumanisë menduan se Kryeziu ishte i suspenduar sepse kishte dy kartonë të verdhë. Përveç në parakualifikime, lojtarët janë të suspenduar vetëm nëse marrin tre kartonë në ndeshje të ndryshe. Pra, kosovari mund të luante nëse do të mbahej në skuadër”, shkroi mediumi i lartpërmendur.
Kështu, në vend të Kryeziut titullar ndaj Rumanisë pranë Rrahmanit është qendërmbrojtësi Fidan Aliti.