Granit Xhaka shpjegon arsyen pse e kreu transplantin e flokëve në Kosovë, flet edhe për mikpritjen që iu bë pastaj te Leverkuseni
Mesfushori Granit Xhaka është ndarë i lumtur me punën e bërë nga Ozone Hair Clinic në transplantin e flokëve, ndërsa të gjithë te Leverkuseni e kanë lavdëruar.
Xhaka befasoi të gjithë javë më parë, ku zgjodhi Kosovën për ta bërë transplantin e flokëve.
Në një intervistë për gazetën e madhe zvicerane “Blick”, ylli shqiptar ka shpjeguar se kishte vendosur gjashtë muaj më parë, shkaku që kishte parë rënien e flokëve në njërën anë.
“Udhëtova për në Kosovë direkt pas ndeshjes. Kishim planifikuar para gjashtë muajve. U shqetësova nga humbja e flokëve nga njëra anë. Kjo është e tëra”.
“Fillimisht e pyeta Xabin (Alonso) nëse do të ishte në rregull ta bëja këtë trajtim. Nuk kishte ndonjë rrezik ose diçka të tillë”.
“Gjithçka u testua paraprakisht – nga alergjitë deri te çdo rrezik i mundshëm. Çdo gjë u koordinua me mjekun dhe klubin dhe nuk kishte asnjë problem apo komplikim”.
Xhaka gjithashtu konfirmoi se shumica e lojtarëve e përgëzuan për stilin e ri dhe që nuk u ngacmua në dhomën e zhveshjes.
“Nuk kishte ndonjë koment në dhomën e zhveshjes. 90 për qind e tyre më dhanë përgjigje pozitive. E di që shumë njerëz e mbajnë sekret, por për mua është komplet normale që t’i rregulloj flokët”.
I pyetur se pse e zgjodhi Kosovën për këtë procedurë, Xhaka shtoi: “E bëra në Kosovë sepse kam kontakte të mira dhe gjithçka u realizua për një kosto me të ulët. Kjo ndihmon edhe për promovimin e vendit tonë, prandaj më gëzon më shumë”.