Granit Xhaka: Më mungon Arsenali
Mesfushori Granit Xhaka e ka pranuar se është duke i munguar Arsenali, megjithatë beson se ka marrë vendimin e duhur për t’iu bashkuar Bayer Leverkusenit.
Ylli shqiptar që përfaqëson Zvicrën iu bashkua në verën e kaluar Leverkusenit, ku arriti ta fitojë titullin e kampionit duke qenë të pamposhtur tërë sezonin ndërsa triumfuan edhe në Kupën e Gjermanisë.
Xhaka e ka pranuar se fundmi që po i mungon fanella e “Topçinjve”, sidoqoftë shtoi se nuk është penduar.
“Kam kaluar shtatë vite të shkëlqyera në Arsenal. Më mungojnë lojtarët, stafi dhe klubi, sigurisht, sepse shtatë vjet janë shumë”.
“Kisha një ndjenjë që ishte koha e përsosur për t'u kthyer në Gjermani, për të shkuar në Leverkusen me një trajner tjetër të madh për të më dhënë diçka tjetër”, tha shkurtimisht ai.
Arsenali ndërkohë kaloi një tjetër sezon pa trofe, ndërsa mbetet të shihet nëse sezonin tjetër do ta realizojnë ëndrrën, për ta fituar Premierligën pas më shumë se 20 vite.
Përndryshe, për shumë tifozë skuadra e Artetas do të jetë favorit edhe para Manchester Cityt.