“Godet” sërish Duka: Të jetojmë në paqe me serbët, Evropiani U21 pozitiv edhe në këndvështrimin politik
Presidenti i Federatës Shqiptare Armand Duka vazhdon të jetë i mendimit që organizimi i përbashkët i Evropianit U21 me Serbinë është pozitiv.
Në një intervistë së fundmi, Duka ka reaguar sërish pas kritikave të shumta, duke thënë se duhet të jetojnë në paqe me serbët, dhe që ky organizim do të jetë pozitiv edhe në këndvështrimin politik.
“Duhen minimumi tetë stadiume për të organizuar një kampionat europian. Ne i kemi katër stadiume aktualisht, kemi “Air Albania”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçin” dhe “Kukës Arena” që është në të njëjtën kategori, kategoria e katërt ku mund të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare. Dhe kemi për të ndërtuar edhe tre stadiume të tjera në Vlorë, Korçë edhe Durrës”.
“Në synojmë të organizojmë një kampionat futbolli që është sportiv, por në fund të fundit edhe në këndvështrimin politik është një gjë pozitive. Në fund të fundit, duhet të jetojmë në paqe me njëri – tjetrin”, deklaroi ai, në disa fotografi që janë shpërndarë nga Federata Shqiptare në “Facebook”.
Përndryshe, Duka ka njoftuar se FSHF-ja i ka ofruar përzgjedhësit Sylvinho kontratë të re dyvjeçare, me objektivin që të kualifikohen në Kupën e Botës.