Gjyqtari i finales së Botërorit e pranon: E bëra një gabim në kurriz të Francës
Gjyqtari kryesor i finales së Botërorit, Szymon Marciniak, e ka pranuar se ka bërë një gabim gjatë ndeshjes mes Argjentinës e Francës së 18 dhjetorit, duke thënë se nuk dha përparësi në një rast për gjelat.
41-vjeçari u bë polaku i parë që gjykoi në një ndeshje finale të Botërorit, të dielën që lamë pas dhe mori lëvdata të panumërta për paraqitjen e mirë të tij.

Duke pasur parasysh se si Katari 2022 pa edhe disa vendime mjaft tronditëse të gjyqtarëve, jo më pak se në eliminimin e Anglisë në çerekfinale nga Franca, ishte vërtet fantastike të shihje Marciniak të qëndronte i qetë gjatë 120 minutave.
Ai akordoi tre penallti, që kishin kontaktin e duhur për t’u ndalur, ndëshkoi sulmuesin Marcus Thuram për një simulim, ndërsa rrallëherë u konsultua me dhomën VAR për vendimet e tij në fushë.

Sidoqoftë, Marciniak që nga ajo ditë, foli në një medium polak, ku tha se ndeshja nuk ishte gjykuar në mënyrë të përkryer, por që nuk kishte gabime të mëdha, ndërsa ndjen se një vendim që mori, do të duhej të vendoste ndryshe.
“Sigurisht, ka pasur gabime në këtë finale. Kam ndërprerë një kundërsulm të Francës pas një ndërhyrje të keqe të Marcos Acuna. Kisha frikë se lojtari që u ndalua donte të çlirohej, por e lexova gabim, sepse asgjë nuk ndodhi, dhe lehtësisht mund të jepja avantazh për t’u kthyer më vonë me një karton. Është e vështirë. Në ndeshje si këto, bëhen këso gabime padashje. Gjëja kryesore është se nuk kishte gabime të mëdha”, tha Marciniak për Sport.Pl

Ndërsa ky kundërsulm pothuajse me siguri nuk do të kishte ndikuar në rezultatin e ndeshjes, kjo nuk e ka ndalur një peticion në Francë që kërkonte riluajtjen e finales duke fituar mbi 200,000 nënshkrime.
Megjithatë, peticioni nuk përmend faullin e Acunas, dhe bazohet më tepër në dy ankesa të pabaza me dy golat e parë të Argjentinës.
L'Equipe gjithashtu ka deklaruar se goli i Lionel Messit në vazhdime nuk duhet të ishte numëruar, sepse disa nga zëvendësuesit e Argjentinës kishin hyrë në fushë për të festuar përpara se topi të kalonte vijën.
Por Marciniak iu kundërpërgjigj gazetës franceze për këtë pretendim, madje duke nxjerrë një foto që tregonte stolin e gjelave duke bërë të njëjtën gjë për një nga golat e Kylian Mbappe.
Ai shtoi: “Francezët nuk e përmendën këtë foto, ku mund të shihni se si janë shtatë francezë në fushë kur Mbappe shënon një gol.”



