Gjykata franceze mban në fuqi ligjin që ndalon shaminë gjatë ndeshjeve
Gjykata më e lartë administrative e Francës ka thënë se Federata e Futbollit ka të drejtë ta ndalojë bartjen e shamisë së kokës gjatë garave, edhe pse kjo masë mund ta kufizojë lirinë e shprehjes.
Këshilli i Shtetit e bëri publik vendimin për shaminë, pasi një grup i lojtareve të futbollit të cilat bartin shami, bëri fushatë kundër kësaj ndalese duke bërë ankesë ligjore.
Ky vendim ka gjasa ta rindezë debatin e ashpër rreth laicizmit – i cili është ende i pranishëm edhe pse kanë kaluar më shumë se një shekull që nga ligji i vitit 1905 për ndarjen e kishës nga shteti i cili e vuri themelin e tij si parim i Republikës së Francës.
Federata e Futbollit e Francës ua ndalon lojtareve bartjen e shamisë së kokës dhe simboleve të tjera fetare gjatë ndeshjeve zyrtare, si dhe në garat e tjera që i organizon vetë.

Kjo nuk është në përputhje me rekomandimet e shtëpisë së futbollit botëror, FIFA, e cila i lejon futbollistet të bartin shaminë e kokës gjatë ndeshjeve në nivel kombëtaresh.
Federata franceze tha se ky vendim i dha mundësi asaj t’i “riafirmojë vlerat republikane dhe qytetare të cilat e mbështesin futbollin dhe përkushtimin e tij të plotë për t’i luftuar të gjitha format e diskriminimit dhe ta promovojë barazinë gjinore”.
Këshilli i Shtetit tha se federatat e sportit mund t’i detyrojnë lojtarët e vet ë veshin rroba neutrale gjatë ngjarjeve dhe sporteve garuese, në mënyrë që të garantojnë ecurinë e mirë të ndeshjeve dhe t’i parandalojnë përleshjet apo konfrontimet.
Ky Këshill konsideron se ndalesa e federatës franceze është me vend dhe proporcionale.
Nuk është ende e qartë nëse kjo ndalesë do të vlejë gjatë Lojërave Olimpike Verore në Paris vitin e ardhshëm.