Gjilani triumfon në udhëtim te Dukagjini, 'paqe' mes Drenicës dhe Ferizajit
Gjilani ka shënuar fitoren e radhës, këtë herë në udhëtim te Dukagjini (0:1), derisa Drenica dhe Ferizaj kanë ndarë pikët (0:0).
Derbi i zhvilluar në Klinë mes Dukagjinit dhe Gjilanit ishte tejet interesant, pavarësisht që vetëm një gol përfundoi në rrjetë.
Gjilani ishte më kërkues gjatë tërë kohës duke krijuar aksione të shumta, që deri vonë nuk i konkretizuan.
Ishte qendërsulmuesi Theophilus Solomon që realizoi golin, që në fund doli të jetë i fitores pas një asistimi të bukur të Përparim Islamit (38').
"Skifterët" kishin raste të shumta shënimi, njësoi si edhe skuadra e Armend Dallkut që rrezikuan në kundërzbritje, mirëpo asnjëra prej tyre gjithashtu nuk u finalizua.
Kështu me këtë gol të shënuar, Gjilani merr fitoren e radhës duke qenë lider në tabelën e Superligës së Kosovës me 13 pikë, derisa Dukagjini renditët në fund me vetëm një pikë të tubuar.
Në xhiron e radhës, Gjilani do ta zhvillojë derbin kundër Prishtinës, deria Dukagjini do t'i shkojë Malishevës.
Në anën tjetër, Drenica dhe Ferizaj kanë ndarë pikët në një ndeshje të bukur, mirëpo pa asnjë gol.
Për plotë 90 minuta, dy skuadrat kishin raste dhe zhvilluan lojë të shpejtë, mirëpo askush nuk arriti t'i finalizojë.
Mysafirët ndoshta ishin më të rrezikshëm disa herë me disa aksione të shpejta, por u mungoi konkretizimi i gjuajtjeve.
Kësisoj, me këtë barazim, Ferizaj ngritët në pozitën e tetë në tabelë me tre pikë të mbledhura, derisa Drenica renditët e gjashta me pesë sosh.
Në xhiron e radhës, Ferizaj do ta pres Llapin, derisa Drenica ka punë ndaj Trepçës '89.
Kujtojmë, se ditën e diele në plan-program është edhe një sfidë, në fakt derbi që zhvillohet në kryeqytet mes Prishtinës dhe Ballkanit, me fillim nga ora 20:00.
Kjo sfidë do të jetë mjaftë e zjarrtë duke marrë parasysh se tashmë janë shitur të gjitha biletat, prandaj stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i stërmbushur.