Gjilani triumfon ndaj Malishevës, Prishtina ndalet nga Ferizaj - NACIONALE

Gjilani triumfon ndaj Malishevës, Prishtina ndalet nga Ferizaj

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjilani ka arritur ta mposht Malishevën, derisa Prishtina u ndal në një barazim pa gola kundër Ferizajit.

"Skifterët" zhvilluan paraqitje të shkëlqyer kundër Malishevës, pavarësisht që fituan me rezultat minimal 1:0.

Vendasit kishin disa raste të mira shënimi qysh nga fillimi i ndeshjes, por që nuk i konkretizuan.

Një ndërhyrje e rrezikshme në zonë te Zeka, ndikoi që arbitri të akordojë penallti, të cilën nuk mundi ta konkretizojë Arbnor Ramadani që goditi shtyllën.

Tutje, ndeshja ishte shumë e baraspeshuar më shumë duke u zhvilluar në mesfushë, por që asnjëra skuadër nuk i konkretizoi rastet.

Ishte prapë i inkuadruari Theophilus Solomon që i dhuroi prapë pikët e plota Gjilanit duke shënuar me kokë pas një harkimi të bukur (67').

Kështu, me këtë gol ishte e mjaftueshme që Gjilani të arkëtojë pikët e plota duke marr kreun e tabelës me gjashtë sosh, derisa Malisheva mbetet pa fitore këtë edicion duke u renditur në pozitën e parafundit pa pikë.

Ndërkohë, në sfidën tjetër ndërmjet Ferizajit dhe Prishtinës nuk kishte asnjë gol.

“Bardhëkaltërit” ishin më kërkues gjatë tërë kohës, por që edhe vendasit e drejtuar nga Arbnor Morina rrezikuan disa herë.

Një befasi në këtë sfidë ishte në minutën e 32-të, kur arbitri Zasella akordoi 11-metërsh pas një ndërhyrje të Shabanit te Endrit Krasniqi.

Mirëpo, më interesantja ishte që u deshën plotë 17 minuta që të merret vendimi i VAR-it. Futbollistët mbeten duke pritur në fushë pasi kishte disa probleme të mëdha teknike. Vendimi filloi të shikohet në minutën e 32-të dhe u mor në minutën e 47-të, duke dal në përfundim që ishte ndërhyrje e rregullt dhe penalltia e akorduar u anulua.

Dy skuadrat zhvilluan lojë më shumë në mesfushë në përpjekje për të gjetur rrjetën, por asnjëra nuk u finalizua.

Kështu, Prishtina mban pozitën e katërt me katër pikë, derisa Ferizaj renditet dy vende më poshtë me një sosh.

Kujtojmë, gjatë ditës së djeshme Drita mposhti Dukagjinin, derisa Llapi barazoi me Trepçën ’89.

Ka mbetur edhe një ndeshje që do të zhvillohet më vonë mes Ballkanit dhe Drenicës me fillim nga ora 20:00.

Lajme të ngjashme