Gjilani reagon ashpër: Ofendimin racist që Lushtaku i bëri Cales e kemi dërguar edhe në UEFA
Sport Clun Gjilani ka reaguar publikisht pas fyerjeve raciste që iu bënë futbollistit Elton Cale, nga kapiteni i Drenicës, Shkëlzen Lushtaku.
Gjatë ndeshjes së fundit mes Gjilanit dhe Drenicës, Lushtaku ofendoi Calen me fjalët “Q***** maxhupin e nanës”, gjë që pastaj u bë virale në mediat lokale.
E tani, ka reaguar edhe Gjilani – skuadër që njoftoi se kanë njoftuar gjyqtarët e asaj ndeshje, FFK-në dhe e kanë dërguar çështjen në Komisionin Etik të UEFA-së.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“Sport Club Gjilani reagon publikisht për fyerjet raciste në drejtim të futbollistit Elton Cale.
Futbollisti Cale u ofendua në baza racore nga Shkëlzen Lushtaku, futbollist i Klubit “Drenica” nga Skenderaj në duelin e xhiros së tretë në kampionatin “Albi Mall Superliga”.
Klubi ka reaguar menjëherë duke lajmëruar zyrtarin e ndeshjes, ztr. Agim Hasanin, gjyqtarin e katërt Isak Ceroviku dhe gjyqtarin kryesor Alban Shala. Po ashtu, edhe pas përfundimit të ndeshjes janë lajmëruar organet gjegjëse në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Të njoftuar tashmë janë edhe shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve, si dhe Komisioni i Etikës pranë UEFA-së, pasi që konsiderojmë se këto fyerje dhe sjellje në drejtim të futbollistit Cale nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar, e në rastin më të vogël pa reaguar.
Në këto momente jo të lehta për futbollistin Cale dhe familjen e tij, ne qëndrojmë afër tyre dhe i ofrojmë mbështetje të plotë në luftën kundër racizmit, duke i siguruar që do të jemi vazhdimisht ‘këmbanë’ e këtij fenomeni të shëmtuar.
Sport Club Gjilani u bën thirrje gjithë futbollistëve dhe komunitetit sportiv në vend të kenë më shumë tolerancë ndërmjet vete dhe lojën e futbollit ta bazojnë në suazat e fair-playt dhe jo në suaza të racizmit”, shkroi klubi gjilanas.
Ndërkohë, në aspektin sportiv – Gjilani është duke kaluar në formë të mirë këtë edicion nën urdhrat e Zekirija Ramadanit, ku është lider në Superligë me 10 pikë të mbledhura pas katër xhirove të para.