Gjilani e mposht Dukagjinin, Ferizaj triumfon ndaj Drenicës
Skuadra e Gjilanit ka arkëtuar pikët e plota ndaj Dukagjinit 2:0), derisa Ferizaj u këndell duke triumfuar në shtëpi kundër Drenicës (2:0), në kuadër të xhiros së 32-të në Superligën e Kosovës.
Derbi më interesant padyshim ishte mes Gjilanit dhe Dukagjinit, dy skuadrat që luftonin për një vend në Evropë, ku "Skifterët" shijuan fitoren me rezultat 1:0.
Ndeshja ishte tejet e hapur me Gjilanin që dominoi shumicën e kohës dhe ndoshta me meritë arkëtoi pikët e plota.
Mevlan Zeka bëri heroin me një gol të bukur pas 28 minutave lojë. Dukagjini arriti ta barazojë rezultatin por pastaj u anulua për pozitë jashtë loje.
Situata për mysafirët u vështirësua pasi Ardin Dallku u ndëshkua direkt me karton të kuq me një ndërhyrje të Baton Zabërgja si futbollist i fundit.
Derisa Dukagjini po sulmonte në fund me të gjithë lojtarët përfshirë portierin, Gjilani nisi një kundërzbritje ku Mevlan Zeka realizoi lehtësisht në portën e zbrazur (90+8').
Pas kësaj fitore, Gjilani mban pozitën e tretë me 50 pikë, derisa Dukagjini tani i vështirëson vetës gjasat për kualifikim duke u renditur e pesta me 41 sosh.
Në anën tjetër, Ferizaj ka shënuar fitore komode ndaj Drenicës me rezultat 2:0.
Vendasit ishin shumë herë më të mirë se "Kuq e Zinjtë" që po vuajnë për rezultate këtë edicion.
Arlind Krasniqi kaloi Ferizajn në epërsi pas 52 minutave lojë duke shënuar nga një aksion i shpejtë.
Vetëm katër minuta më vonë, Drenica mbeti me 10 lojtarë në fushë pasi Hussein u ndëshkua direkt me karton të kuq. Mirëpo, edhe Ferizaj mbeti me një më pak me Cakolli që u ndëshkua me të kuq 10 minuta më vonë.
Fitoren e Ferizajt e vulosi Betim Haxhimusa një minutë pas inkuadrimit pas një asistimi të bukur të Sadriut (73').
Ferizaj pavarësisht fitores zë pozitën e nëntë me 34 pikë, derisa Drenica tani është shumë pranë rënies në Ligën e Parë duke qenë e fundit me 23 sosh.