Gjermania e çon në gjykatë FIFA-n, për shiritin e ndaluar të kapitenit në Katar
Federata e Futbollit e Gjermanisë (DFB) e ka çuar FIFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, për shkak se ua ndaloi lojtarëve bartjen e shiritit të kapitenit me mbishkrimin “NjëDashuri” gjatë Kupës së Botës në Katar.
DFB-ja i ka kërkuar kapitenit Manuel Neuer të mos e vendos në krah shiritin me ngjyra të ylberit në ndeshjen hapëse kundër Japonisë të mërkurën.
FIFA i paralajmëroi kapitenët se do të përballeshin me ndëshkime nëse do t’i thyenin rregullat e turneut duke bartur shirita që në fakt promovojnë gjithpërfshirjen dhe diversitetin.
Nëse CAS-i merr vendim të shpejtë kundër kësaj ndalese, atëherë Neuer mund ta bartë shiritin me ngjyra të ylberit në ndeshjen e dytë grupore të Gjermanisë kundër Spanjës të dielën.
CAS-i pritet të marrë vendim brenda 48 orëve të ardhshme për këtë çështje.
Anglia, Zvicra dhe pesë kombëtaret e tjera nuk do ta bartin shiritin e kapitenit gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës në Katar, pas vendimit të FIFA-s.
Mesfushori shqiptar i Zvicrës Granit Xhaka dhe kapitenët e gjashtë ekipeve të tjera kombëtare ishin zotuar se do ta bartnin shiritin me mbishkrimin “OneLove” (Një dashuri) gjatë ndeshjeve në Katar në përkrahje të komunitetit LGBTQ+ dhe kundër diskriminimit.
Megjithatë, të hënën, Zvicra, Anglia, Uellsi, Belgjika, Danimarka, Gjermani dhe Holanda njoftuan se e kanë tërhequr vendimin, pasi FIFA ua bëri me dije se kapitenët që bartin atë shirit do të ndëshkoheshin me karton të verdhë në fillim të ndeshjes.
“Ne nuk mund t’i fusim lojtarët tanë në një gjendje ku ata mund të ndëshkohen me karton apo edhe të detyrohen të largohen nga fusha e lojës”, thuhej në komunikatën e përbashkët të këtyre kombëtareve.
“Ne jemi të zemëruar me vendimin e FIFA-s, për të cilën besojmë se është i paprecedent. Lojtarët dhe trajnerët tanë janë të zhgënjyer- ata janë përkrahës të fuqishëm të gjithëpërfshirjes dhe ne do ta shfaqim përkrahjen në forma të tjera”, thuhej tutje në njoftim.
Përdorimi i këtij shiri, një nismë e holandezëve, kishte për synim shfrytëzimin e fuqisë së futbollit për ta promovuar gjithpërfshirjen dhe për të dërguar mesazh të qartë kundër diskriminimit.
Një zemër me ngjyra të ndritshme dhe me përshkrimin “NjëDashuri”, ky shirit planifikohej të bartej nga kapitenët e ekipeve kombëtare gjatë Kupës së Botës 2022 në Katar.
