Gazeta zvicerane ia kujton Agim Ademit telashet me ligjin në prag të miqësores Zvicër - Kosovë - NACIONALE

Gazeta zvicerane ia kujton Agim Ademit telashet me ligjin në prag të miqësores Zvicër - Kosovë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta e përditshme zvicerane Blick ia ka kushtuar një shkrim presidentit në telashe të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në ballinën kryesore të sportit, duke e rikujtuar arrestimin e tij nën dyshimin për sulm fizik ndaj zyrtarit të federatës.

“Para duelit kundër Zvicrës sot në orën 18:00, në Letzigrund, një luftë për pushtet në futbollin kosovar është duke u ndezur. Mu në mes të saj: shefi i tanishëm i federatës Agim Ademi”, e nisi shkrimin për Ademin gazeta Blick.

Ndërsa titulli i shkrimit në ballinën e sportit në Blick ishte ky: “Presidenti i Kosovës [FFK] ishte në paraburgim së fundmi”.

Blick po i referohej arrestimit të Ademit më 16 mars dhe mbajtjes së tij në paraburgim një natë, nën dyshimin për sulm fizik ndaj Artan Govorit, zëdhënësit për marrëdhënie me jashtë në FFK.

Kosova do të përballet sot me Zvicrën në një ndeshje miqësore për herë të parë në historinë e vet, ndërsa të dytën këtë vit, pas asaj kundër Burkina Fasos javën e kaluar në Prishtinë.

As kjo ndeshje e shumëpritur, që nga disa është quajtur edhe si vëllazërore sidomos në Zvicër, nuk ka mundur ta lërë nën hije katrahurën në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe polemikat rreth presidentit të saj të tanishëm.

Në ditën e ndeshjes, Blick përmes një shkrimi në ballinën e saj kryesore ia përmendi Ademit telashet me ligjin dhe sulmin e dyshuar ndaj Artan Govorit.

E përditshmja zvicerane e përmendi edhe kandidaturën e refuzuar të Gramoz Vokrrit - djalit të legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së Fadil Vokrri - për president të FFK-së.

Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre. Ndaj FFK-së pati kritika dhe akuza se me këtë ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.

Ministria e Sportit ka gjetur se FFK-ja e ka shkelur ligjin për sport dhe statutin e vet me shpalljen e zgjedhjeve për datën 6 prill.

Mospranimi i kandidaturës së Vokrrit e bën Ademin kandidatin e vetëm për president të FFK-së dhe kjo nënkupton se Ademi do të rizgjidhet president edhe për katër vite të tjera dhe do ta ulët përsëri në bankën e të akuzuarit edhe në mandatin e tij të dytë si shef i futbollit në vend.

Sepse 60-vjeçari është në pritje të një seance gjyqësore në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë, e cila nuk ka të bëjë me futbollin, për të cilën ishte dënuar me 9 muaj burgim efektit nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit në vitin 2019, para se Gjykata Supreme ta shfuqizonte verditkin ndaj tij, duke urdhëruar që gjykimi për këtë rast të nisë nga fillimi, pra nga shkalla e parë.

Lajme të ngjashme