Gazeta franceze L’Equipe e lë Zhegrovën jashtë formacionit të javës, pavarësisht paraqitjes së paharrueshme kundër Lorient - NACIONALE

Gazeta franceze L’Equipe e lë Zhegrovën jashtë formacionit të javës, pavarësisht paraqitjes së paharrueshme kundër Lorient

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më sa duket as dy gola të shkëlqyer brenda 10 minutave dhe fitimi i tri pikëve me vuajtje për skuadrën e tij Lille në një natë të paharrueshme për Edon Zhegrovën nuk i mjaftuan gazetës së përditshme franceze L’Equipe ta fusë yllin kosovar në formacionin më të mirë të javës në kampionatin francez.

L’Equipe njihet si gazetë dorështrënguarëse dhe e pamëshirshme në vlerësimet e saj për futbollistët, prapëseprapë është pakëz e çuditshme se si përfaqësuesi i Kosovës Zhegrova nuk u vlerësua për paraqitjen që e bëri si zëvendësues në fitoren e Lille 3:1 kundër Lorient të dielën, raporton Nacionale.

Lille, që po lufton për një vend në Evropë sezonin e ardhshëm, i mbajti gjallë shpresat për ta arritur synimin falë shpërthimit të 23-vjeçarit nga Prishtina.

Megjithëse luajti me një lojtar më shumë shumicën e kohës në pjesën e dytë, skuadra e Paulo Fonsecas po vuante ta thyente akullin deri në çastin kur Zhegrova u fut në fushë nga stoli rreth 10 minuta para fundit.

Dhe pastaj, brenda dy minutave, ylli kosovar së pari shënoi për ta kaluar Lillen në epërsi 2:1 kur shënoi me një goditje me efej nga një pozitë shumë e vështirë në minutën e 89-të, para se ta dyfishonte epërsinë dhe ta vuloste fitoren e vendasve pas një depërtimi individual dhe nj goditjeje për toke në shtyllën e afërt vetëm dy minuta më vonë.

Në formacionin e javës së 29-të, L’Equipe e përzgjodhi vetëm një lojtar të Lille, sulmuesin Cabella, i cili e shënoi golin e parë dhe pati shumë duele të fituara.

Në krahun e djathtë të sulmit, aty ku ka mundur të ishte përzgjedhur Zhegrova, gazeta franceze e vendosi një francez, Franck Honoratin e Breast.

Honorat i bëri dy asiste në fitoren e Breast 3:1 kundër Toulouse.

Zhegrova është përmirësuar dukshëm në vitin 2023, apo pjesën e dytë të sezonit në Ligue 1, megjithëse ende nuk e ka fituar besimin e plotë të trajnerit Fonseca.

Sulmuesi prishtinas i ka shënuar tri gola dhe i ka dhuruar pesë asiste në 17 ndeshje, prej të cilave vetëm dy si titullar, për Lille këtë sezon, të gjitha në vitin 2023.

Ai shfaq shenja përmirësimi dhe pjekurie edhe Kombëtaren e Kosovës gjatë ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 në fund të muajit të kaluar.

Zhegrova e ndryshoi rrjedhën e lojës së Kosovës dhe e shënoi golin e vetëm në barazimin 1:1 me Andorrën në Prishtinë.

Lajme të ngjashme