Gani Sejdiu: Jam i kënaqur me kushtet te Vëllaznimi, në janar klubi do të fuqizohet ekonomikisht - NACIONALE

Gani Sejdiu: Jam i kënaqur me kushtet te Vëllaznimi, në janar klubi do të fuqizohet ekonomikisht

3 javë më parë

nga Edonis Bytyqi

Trajneri Gani Sejdiu ka folur për herë të parë pasi mori drejtimin e Vëllaznimit të Gjakovës, duke deklaruar se është shumë i lumtur me marrëveshjen e arritur gjatë një bisede për gazetën Nacionale.

Vëllaznimi gjatë ditës së djeshme zyrtarizoi marrëveshjen me Sejdiun, i cili ishte pa klub që nga dorëheqja e dhënë prej Drenicës.

Tekniku mitrovicas ka folur për Nacionalen lidhur me marrëveshjen e arritur me klubin nga Gjakova, duke deklaruar se nuk ka hezituar fare edhe pse është në dijeni të problemeve financiare.

"Kam pasur disa oferta, por nuk më kanë interesuar shumë, mirëpo te Vëllaznimi që kam qenë edhe para katër viteve, është klub i madh me traditë, është një periudhë që nuk do ta harroj kurrë. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë, kështu që nuk kam hezituar pavarësisht që e dimë se të gjithë, Vëllaznimi momentalisht nuk është klub me qëndrueshmëri financiare, pra ka probleme, mirëpo m'i kanë tregu problemet. Janë me idenë që në janar klubi do fuqizohet financiarisht dhe ndërtimin e një ekipi për Superligë".

Ai nënvizon se kur arritën marrëveshje me kryesinë e Vëllaznimit nuk ishte objektiv inkuadrimi në Superligë, por kjo mund të ndryshojë në janar nëse marrin rezultate pozitive gjatë gjysmë sezonit të parë.

"Për momentin nuk është ai qëllim, pasi ekipi ka mbetur pa disa lojtarë dhe në fakt është pak vonë me nënshkru disa lojtarë. Do të mundohemi të bëjmë një ekip pak a shumë serioz, varet a do të arrijmë të gjejmë lojtarë. Kemi bërë një plan që sidomos tash me mbijetu disi, pastaj në janar siç më kanë premtuar janë disa shanse që të fuqizohet klubi".

"Nuk janë kushtet për momentin, ata (kryesia) kanë qenë shumë real. Gjithçka është e mundur. Unë jam real, kam dëshirë me mbet. Në rast që jemi afër gjatë kësaj gjysmë sezone, atëherë në janar siç kanë premtuar do të intervenojmë shumë dhe ta ndjekim Superligën 100 për qind. Varet si do të shkojë ky gjysmësezon".

Ish trajneri i shumë klubeve elitare, së fundmi i Drenicës u shpreh se futbollistët janë një problem shumë serioz për momentin, pasi një pjesë e madhe janë larguar, e klubi ende nuk i ka zëvendësuar.

"Ka pasur largime. Lojtarët që kanë qenë me peshë janë larguar. Për lojtarët që kam qenë i interesuar, ata kanë nënshkruar për klubet respektive, prandaj është një kohë jo shumë e lehtë për marrjen e lojtarëve. Jemi duke hulumtuar, por do bazohemi edhe në lojtarët e ri të klubit, janë disa talenta nga akademia. Ende nuk mundemi me ditë se cilët lojtarë do t'i marrim".

Përpos kësaj, Vëllaznimi ende nuk ka nisur stërvitjet, ku ka mbetur edhe një muaj para se të nis sezoni i ri. Tekniku mitrovicas shpjegon se ana financiare mbetet një ndër problemet kyçe.

"Pak problem. Disa janë edhe pak më të shtrenjtë e klubi momentalisht nuk i ka financat, edhe ky është një problem. Do të mundohemi që të bëjmë një ekip deri diku edhe pse edhe koha e stërvitjes është e shkurtër. Pra, kampionati do të nis me të 20-in, ende s'kanë filluar stërvitjet. Do të mundohemi që të rregullojmë gjërat sa më shpejtë".

Në fund, Sejdiu komentoi marrëveshjen e nënshkruar duke nënvizuar se është tejet i lumtur, edhe pse me këto kushte nuk do t’i bashkohej asnjë skuadre tjetër.

"Vëllaznimi kishte shprehur interesim edhe në të kaluarën, por është dashur të paktën të m'i plotësojnë disa gjëra. Unë jam shumë i kënaqur me marrëveshjen edhe pse në shumë klube nuk do të shkoja me këto kushte. Të Vëllaznimi jam shumë i kënaqur, pasi më respektojnë të gjithë, prandaj nuk ka qenë shumë vështirë me vendos edhe jam shumë i kënaqur. Me rëndësi të bëjmë Vëllaznimin gradualisht. Ata më kanë premtuar edhe benefite tjera, nëse arrijmë më u fuqizu, por për momentin jam shumë i kënaqur me marrëveshjen time dhe projektin që e ka klubi", përfundoi ai për Nacionalen.

Kujtojmë, se përpos Drenicës dhe Vëllaznimit, Sejdiu në të kaluarën kishte edhe “timonin” e klubeve të njohura si Trepça '89, Besa e Pejës dhe Feronikeli.

Lajme të ngjashme