Gani Sejdiu merr drejtimin e Vëllaznimit - NACIONALE

Gani Sejdiu merr drejtimin e Vëllaznimit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vëllaznimi ka filluar të organizohet. Tashmë drejtuesit e klubit gjakovar kanë zgjedhur Gani Sejdiun si trajner të ri për edicionin 2022/2023.

Përkundër një fillimi të mbarë të kampionatit gjatë vitit të kaluar, pak muaj më vonë Vëllaznimi hasi në shumë probleme, të cilat ia pamundësuan që të luftonte deri në fund për t'u futur në barazh drejt ngjitjes në Superligën e Kosovës.

Tani, klubi gjakovar tani ka nisur të mendojë për sezonin e ri. Trajneri mitrovicas, Gani Sejdiu, do të jetë ai që do ta udhëheqë skuadrën drejt synimit për t'u rikthyer në elitën e futbollit kosovar.

Një lajm të tillë e ka konfirmuar vetë Vëllaznimi përmes faqes zyrtare të saj në Facebook.

Kumtesa e Vëllaznimit

Në vazhdën e shkresës zyrtare që publikoi në Facebook klubi i Vëllaznimit, shprehi qartë gëzimin e madh që ka arritur ta marrë një përgjigje pozitive nga Gani Sejdiu, për të qenë ai trajneri i cili do ta ketë në duar projektin e ri të skuadrës.

"KF Vëllaznimi ka arritur marrëveshje me Gani Sejdiun që ta udhëheqë skuadrën për sezonin 2022/23. Edhe pse ka pasur shumë oferta nga shumë klubet, ai ka thënë se për Vëllaznimin do të jetë i gatshëm. Një trajner si Gani Sejdiu, që është i cilësisë së lartë, është nder dhe respekt ta kemi në klub. Suksese Gani Sejdiu", thuhet në njoftimin e klubit.

Tani e një kohë të gjatë Sejdiu kishte mbetur në pritje të ofertave, duke qenë trajner i lirë.

Një karrierë me trofe

Gani Sejdiu konsiderohet si njëri prej trajnerëve më të trofeshëm në futbollin kosovar. Ai ka fituar titullin kampion me Trepçën në edicionin 2009/2010, si dhe me Feronikelin në edicionin 2014/2015, pa i renditur këtu edhe disa Kupa dhe Superkupa tjera.

Pas këtyre eksperiencave, ka udhëhequr edhe skuadra të tjera, si Drenica apo Ballkani, por pa gjetur rehatinë e dëshiruar, e as durimin e kryesive të klubeve në fjalë, ku si pasojë edhe me marrëveshje të dyanshme prevalvonte largimi nga pozita e trajnerit.

Në rastin e titullit të fituar me Trepçën, ai ishte edhe i fundit që ky klub arriti ta fitojë. Pas asaj periudhe, filloi një fazë gri për të, ku shumë shpejt erdhi edhe deri te rënia në Ligën e Parë, nga ku nuk po gjen rrugëdalje tani e një dekadë që të rikthehet në Superligën e Kosovës.

Ndërkaq, historia e Feronikelit nuk do të ishte e njëjtë pa kontributin e Gani Sejdiut, i cili ishte trajneri që ua mundësoi fitimin e trofeve të para në histori të klubit.

Tani te Vëllaznimi do të përballet me disa pengesa, pasi klubi ka shumë vite që nuk gëzon stabilitet financiar të dëshiruar dhe merituar, çfare edhe i takon.

Lajme të ngjashme