Gani Sejdiu flet pasi mori drejtimin e Phoenixit: Ka kualitet, por lojtarëve u mungon përvoja për Superligë - NACIONALE

Gani Sejdiu flet pasi mori drejtimin e Phoenixit: Ka kualitet, por lojtarëve u mungon përvoja për Superligë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i njohur, Gani Sejdiu është optimist për një të ardhme të mirë te Phoenix, me të cilët synon të kualifikohet në elitën e futbollit kosovar.

Ditën e hënë, Sejdiu zyrtarisht u njoftua si trajneri i ri FC Phoenix, skuadër kjo që e ka nisur mjaftë mbarë edicionin e ri të Ligës së Parë, grupi A dhe me këtë fillim duken si ndër kandidatët për kualifikim.

Gjatë një bisede me Gazetën Nacionale, Sejdiu ka treguar se ka stërvitur skuadrën kosovare që një muaj, derisa dje ka nënshkruar kontratë për një vit e gjysmë, me opsion për një vit tjetër.

"Kam negociuar për një kohë të gjatë, më kanë ofruar kushte vërtet të mira të punës dhe ajo që më ka pëlqyer është projekti, që është afatgjatë. Realisht jam shumë i kënaqur, më ka pëlqyer ambienti. Nuk kam dashur të ngutesha edhe e kam parë që janë shumë serioz. Një muaj kam stërvitur me ta dhe dje jemi marrë definitivisht për kontratë që vlen një vit e gjysmë, me mundësi për një tjetër vit".

I pyetur për objektivat, Sejdiu deklaroi se nuk është e domosdoshme inkuadrimi në Superligë këtë edicion, por që të përforcohet skuadra dhe sezonin tjetër të luftojnë nga fillimi i edicionit.

"Të themi të drejtën, ekipi duhet të qetësohet në disa elemente që të jetë më garues. Gjasat janë ende, varet edhe në takimet e fundit se çfarë bënë Feronikeli dhe Phoenix, ka gjasa të mëdha të inkuadrohemi këtë vit. Ne kemi bërë plane që ta përgatisim ekipin, ta ndjekim skuadrën, por që nuk e arrijmë atëherë sezonin e ardhshëm do të luftojmë nga fillimi".

Ai konfirmoi se Phoenix ka lojtarë të mirë, por ende jo të gatshëm për Superligën e Kosovës, pasi iu mungon përvoja.

"Shiko, realisht ka lojtarë shumë të mirë, por nuk mjafton që të mbesim në Superligën e Kosovës. Ka elemente shumë të mira, por lojtarë pa përvojë. Duhet të intervenojmë në janar, e dimë që është vështirë të gjejmë lojtarë, por do të mundohemi maksimalisht. Nëse arrijmë ta plotësojmë ekipin, atëherë sezoni tjetër do të jetë krejtësisht ndryshe", deklaroi ai.

Phoenix momentalisht renditët në pozitën e katërt me 22 pikë, gjashtë më pak se lideri momental, Feronikeli 74.

Lajme të ngjashme