Galtier pret më shumë transferime nga PSG: Lojtarët janë duke pritur për t’u bashkuar me ne
Trajneri i Paris Saint-Germain, Christophe Galtier, thotë se skuadra e tij nuk ka përfunduar punë në afatin kalimtar veror dhe pret afrime të reja si dhe largime. Teksa foli në konferencë ai tha se lojtarët janë duke pritur për t’iu bashkuar skuadrës së kryeqytetit francez.
Trajneri francez i PSG-së përmendi se janë disa lojtarë të cilët mund të largohen nga klubi në afatin kalimtar të transferimeve dhe disa nënshkrime të reja mund të përfundojnë përpara mbylljes së dritares më 1 shtator.
Duke folur me gazetarët përpara ndeshjes së skuadrës së tij kundër Monacos, Galtier tha: "Do të ndryshojë shumë gjatë ditëve të fundit të afatit kalimtar. Disa lojtarë janë në proces të largimit, të tjerët presin të bashkohen me ne. Do të shohim se si do të ndodhë. Ne kemi identifikuar pozicionet në të cilat duhet të forcohemi, të marrim lojtarë që do të shtojnë vlerat tona, por nëse do të bëhet apo jo, nuk e di”.

Më herët në këtë afat kalimtar, Neymar ishte i lidhur me një lëvizje te Chelsea, por marrëveshja nuk u realizua. Braziliani tashmë ka pasur një fillim mbresëlënës me kampionin francez ku ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë gjashtë asistime në tre ndeshjet e tij të para të sezonit në Ligue 1 dhe nuk ka gjasa që klubi francez tani ta lërë yllin e tyre në formë të largohet, sidomos me formën e treguar në ndeshjet e para.

Anësori brazilian ishte përfshirë në një situatë të pakëndshme me bashkëlojtarin e tij te PSG, Kylian Mbappe, ku pastaj filluan zërat se ylli francez ka kërkuar largimin e tij. Por një bisedë e të gjithë skuadrës dhe drejtuesve të saj duket se ka ndrequr punët ndërmjet dyshes dhe nuk do të ketë largime të yjeve.
Parisienët ndeshjen e ardhshme e kanë nesër, më saktësisht në ditën e diele, ku e pret Monacon në Parkun e Princave me fillim nga ora 20:45. Skuadra e Galtier aty shpreson që ta vazhdojë serinë e 100 % të fitoreve, duke qenë e vetmja skuadër në Francë me pikë të plota pas tre ndeshjeve të para të zhvilluara.

