Galata propozon tre lojtarë plus para në shkëmbim për Victor Osimhen
Skuadra turke Galatasaray do të ofrojë para plus emrat e yjeve si Davinson Sanchez, Baris Alper Yilmaz ose Yunus Akgun për të blerë Victor Osimhenin në mënyrë të përhershme nga Napoli.
Nigeriani kaloi te gjiganti turk në ditën e fundit të afatit veror në formë huazimi, ndërsa skuadra është e “dashuruar” pas tij andaj duan ta blejnë përfundimisht në verë.
Marrëveshja fillimisht nuk ishte parë për të qenë më shumë se huazim, por me tetë gola dhe katër asistime në nëntë paraqitje – Galata duket se ka ndryshuar tërësisht mendje.
Klauzola e Osimhenit është 120 milionë euro, mirëpo do të zbresë 80 milionë euro në rast që asnjë skuadër nuk arrin marrëveshje për ta blerë deri në qershorin e vitit 2025.
Sipas mediumit turk “Milliyet”, Galata po planifikon të ofrojë edhe disa yje për ta zbritur këtë çmim, me shpresën që marrëveshja të mbyllet brenda një kohe të shkurtër.
Ndër emrat që mund të ofrohet është edhe Sanchez, i cili e njeh mjaftë mirë Antonio Conten shkaku që ishte nën urdhrat e italianit te Tottenhami, së bashku me emrat si Yilmaz e Akgun.