Gabriel Martinelli "shokon" Arsenalin me kushte, kërkon trefishimin e pagës javore - NACIONALE

Gabriel Martinelli "shokon" Arsenalin me kushte, kërkon trefishimin e pagës javore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ylli i Arsenalit, Gabriel Martinelli nuk është as afër që të nënshkruajë kontratën e re te "Emirates" pasi ka probleme për kërkesat në paga.

Braziliani është bërë një ndër lojtarët me paraqitjet më të mira këtë edicion te "Topçinjtë" dhe fitoi çmimin e lojtarit të ndeshjes gjatë triumfit 3:2 kundër Liverpoolit, sfidë ku realizoi menjëherë minutën e parë.

Martinelli iu bashkua Arsenalit në një marrëveshje shtatë milionëshe në vitin 2019, por tani që është bërë titullar ka fituar vëmendjen e klubeve të mëdha të Premierligës, më së shumti nga Chelsea.

Kontrata momentale i skadon në vitin 2024 dhe klubi anglez ka opsionin që t'ia vazhdojë kontratën edhe për 12 muaj të tjerë.

Sidoqoftë, bordi i Arsenalit duan t'i përmirësojnë kontratën momentale shkaku i paraqitjeve të shkëlqyeshme.

Por, Martinelli e ka shokuar bordin e Arsenalit duke kërkuar pagë javore prej 200 mijë euro, që e bën automatikisht si një ndër më të paguarit si Gabriel Jesus dhe Thomas Partey.

Arsenal ka pritur që kërkesat e brazilianit të ishin për dyfishim të pagës, por nuk e prisnin kërkesën për trefishim.

Klubi anglez ka punuar shumë që të zbres pagat në skuadër, duke larguar futbollistë si Mesut Ozil dhe Pierre-Emerick Aubameyang. Ata janë të dëshpëruar që të mbajnë Martinellin, por shpresojnë që ky i fundit t'i zbres kërkesat për pagë.

Martinelli në anën tjetër, është i hapur të qëndrojë në "Emirates" dhe e konfirmoi haptas se janë duke negociuar.

"Sigurisht, dua të qëndroj. Jemi duke biseduar. Të shohim si do të përfundojë situata, por unë dua të qëndroj sigurisht".

"Mendoj se jam duke kaluar sezonin më të mirë këtu te Arsenal. Jam shumë i lumtur për këtë moment".

Arsenal deri me tani është duke kaluar në formë fantastike këtë edicion, ku janë lider në tabelë me 24 pikë të mbledhura pas nëntë xhirove.

Lajme të ngjashme