Gabon Roma, mposhtet nga Atalanta dhe i bën ‘nder’ Interit e Milanit
Pas tri fitoreve radhazi në Serie A, Roma ka humbur ndaj Atalantës me rezultat 3:1, kështu për t’i bërë nderë Interit dhe Milanit, të cilat janë në ndjekje të pozitës së fundit që dërgon në fazën grupore të Ligës së Kampionëve në sezonin e ardhshëm.
Skuadra e Jose Mourinhos pati një seri pozitive, që i pa ata të ngjiteshin deri në pozitën e tretë në Serie A e gjithashtu dhe kalimin në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, por kjo seri u ndërpre nga Atalanta, që shënoi fitore të madhe në Gewiss Stadium.
Roma ishte skuadra më e mirë në fushë, sa i përket posedimit të topit, por dështoi të krijonte raste të rrezikshme shënimi.
Mario Pasalic shënoi për ta çuar rezultatin 1:0 për Atalantën gjashtë minuta pa përfunduar pjesa e parë dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushimin e mespjesëve.
Me romakët që nuk po arrinin të rrezikonin seriozisht portën, Mourinho bëri plot katër zëvendësime gjatë minutës 64 dhe 65.
Edhe pas ndryshimeve në formacion, ata nuk po arrinin të vinin deri te goli dhe këtë vendasit e shfrytëzuan mirë, duke dyfishuar epërsinë me Rafael Toloin në minutën e 74-të.
Krejt çfarë Roma arriti të bënte në këtë ndeshje ishte të shënonte me Lorenzo Pellegrinin, për ta ngushtuar rezultatin përkohësisht në 2:1 në minutën e 83-të.
Por menjëherë pas një minute u kthye diferenca prej dy golave, me Teun Koopmeiners që shënoi për 3:1 dhe epilogun final të takimit.
Tani kur të gjitha skuadrat në Serie A kanë zhvilluar 31 ndeshje, Roma gjendet në vendin e pestë me pikë të barabarta me Milanin e vendit të katërt, ndërsa Interi është menjëherë pas tyre me dy pikë më pak, saktësisht 54 pikë, e Atalanta zë vendin e shtatë me 52 pikë.

