Frattesi vendimtar, Interi shënon fitore në ‘frymën e fundit’ ndaj Veronës dhe vazhdon mbretërimin në Serie A
Interi i Simone Inzaghit është kthyer te fitoret, duke mposhtur në shtëpi Veronën me golin e Davide Frattesit në çastet e fundit të takimit për rezultatin 2:1, për ta vazhduar mbretërimin në Serie A.
Si rëndom, muaji janar gjithmonë ka qenë i plogësht për skuadrën zikaltër, ndaj quhet muaji i ftoftë për Interin, por rezultati pozitiv erdhi.
Një javë më parë zikaltrit gabuan duke barazuar 1:1 me Genoan, në mungesë të yllit kryesor, Lautaro Martinez, por me rikthimin e tij, u kthyen edhe fitoret.
Interi dominoi takimin në tërësi dhe fitorja ishte plotësisht e merituar.
Vetëm 13 minuta i mjaftuan Lautaro Martinezit për ta çuar skuadrën e tij në epërsi, me asistimin që erdhi nga Henrikh Mkhitaryan.
Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë, ndërsa 45 minutat e dyta ishin më interesant, ku u shënuan dy gola deri në vërshëllimën e fundit.
Fillimisht Lautaro shënoi përsëri, por VAR e anuloi atë, teksa në minutën e 74-të erdhi goli i barazimit i shënuar nga Henry, i cili në lojë u inkuadrua vetëm një minutë më herët.
Kur loja po shkonte drejt fundit dhe shpresat e tifozëve vendas po uleshin për rezultat pozitiv, në skenë doli Davide Frattesi që me golin në minutat shtesë ia dhuroi fitoren Interit me rezultat 2:1, me tre pikët që në këtë moment janë shumë të vlefshme.
Interi tani vazhdon kryesimin në renditje me pesë pikë më shumë se Juventusi, të cilët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.