Franco Foda për kualifikimet e Kupës së Botës 2026: Në këtë grup, gjithçka është e mundur
Sot në Zvicër, Kombëtarja e Kosovës mësoi kundërshtarët e saj për kualifikimet në Kupë të Botës 2026.
Dardanët do të përballen me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë, për një vend që dërgon në garën më prestigjioze për kombëtare.
Pas shortit, trajneri Franco Foda dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u prononcuan.
Foda tha se grupi është i vështirë, por se gjithçka është e mundur.
"Është grup i vështirë, por shumë i balancuar. Avantazhi është se nuk duhet të udhëtojmë larg dhe tani do të merremi shumë intensivisht në mënyrë specifike me kundërshtarët. Në këtë grup, gjithçka është e mundur."
Në anën tjetër, Agim Ademi, tha se është mision i vështirë, por jo edhe i pamundur.
“Është një grup jashtëzakonisht i vështirë, janë kombëtare të vërtetuara të cilat kanë qenë në Kampionatet Evropiane, dhe herën e fundit pjesëmarrëse ishin Suedia dhe Zvicra. Me të gjitha këto kombëtare kemi luajtur dhe sigurisht që janë ekipe të vështira. Është një mision i vështirë, por jo i pamundur. Uroj që të jemi sërish një ekip i plotë, pa lëndime dhe të jemi bashkë siç kemi qenë në kompeticionin e fundit. Shpresoj dhe uroj që të japim më të mirën në këto ndeshje dhe e ripërsëris që nuk dyshoj në ekipin tonë, në grupin tonë dhe në trajnerin. Të gjithëve ju uroj shumë fat dhe shpresoj që do t’ia dalim këtë herë”
Kujtojmë se kualifkimet për Kupën e Botës nisin në muajin mars të vitit 2025 dhe përfundojnë në nëntor të po atij viti.
Fituesit e grupeve do të kualifikohen direkt në Kupë të Botës, ndërsa vendet e dyta do të luajnë në play-off.