Franco Foda: Morëm fitore të rëndësishme, skuadra tregoi mentalitet
Kombëtarja e Kosovës shënoi fitore ndaj Lituanisë me rezultat 2:1 në udhëtim në Kaunas dhe tani ka pikë të barabarta me liderin, Rumaninë, në krye të grupit C2.
Pas përfundimit të ndeshjes, në konferencë për shtyp u paraqit trajneri Franco Foda, i cili komentoi ndeshjen e zhvilluar, ku u nda i kënaqur në përgjithësi, ndonëse tha se mund të shënonin më shumë gola, për të evituar fundin dramatik të ndeshjes.
"Luajtëm shumë mirë për pjesën më të madhe të ndeshjes. Patëm shanse për të shënuar golin e dytë kur ishim 1:0, por edhe për 3:0 kur ishim 2:0. Kundërshtarët më pas na ndëshkuan dhe gjërat u komplikuan për ne, megjithatë edhe atëherë patëm shansin për të shënuar për 3:1 me kundërsulm por nuk e arritëm një gjë të tillë. Skuadra tregoi mentalitet, morën një fitore të rëndësishme me shumë meritë, që tregon shumë për mentalitetin e skuadrës."
Për synimet në grupin C2, Foda tha se do të vazhdojnë të luajnë për tre pikë ndeshje pas ndeshje, e pastaj në fund të shohin se si janë gjërat, teksa potencoi që për skuadrën është e rëndësishme të marrin tre pikë pas tre ditësh përsëri.
"Siç e thamë në konferencën e kaluar, çdo ndeshje është e rëndësishme, do të fokusohemi ndeshje pas ndeshje për të marrë tre pikë. Besoj që sot i morëm tre pikë me një paraqitje të mirë, tani fokusi është te ndeshja e radhës. Sot do të udhëtojmë për në Prishtinë, nesër është rigjenerimi. Do ta përcjellim ndeshjen e Qipros, pastaj fokusi do të jetë te ndeshja jonë, ku do të kërkojmë tre pikë. Do të shohim se si do të luajë Rumania, por për ne e rëndësishme është t'i marrim tre pikë ndeshje pas ndeshje."
Trajneri tha se sot kanë treguar karakter, duke luajtur mirë pa top, dhe se loja ekipore ishte shumë e rëndësishme.
"E kemi ditur që Lituania do të luajë me topa të gjatë dhe ka qenë shumë e rëndësishme të fitojmë topin e dytë. Fokusi te topat e dytë ka qenë një nga gjërat që kemi kërkuar, por jemi fokusuar edhe te loja jonë. Kemi kërkuar nga ekipi të ketë sa më shumë fokus dhe përqëndrim në lojë dhe në të njëjtën kohë kemi kërkuar të shfrytëzojmë hapësirat nëpërmjet formacionit 4-2-3-1, me një lojtar të lirë. Besoj që e kemi arritur këtë gjë nëpërmjet futbollistit me numër 10, për të shfrytëzuar ato hapësira mes mbrojtjes dhe mesfushës së Lituanisë. Shumë e rëndësishme ka qenë edhe loja që kemi bërë pa top, karakteri e agresivtieti që kemi treguar, ka qenë ndeshje e luftuar. Më e rëndësishmja janë tre pikët e merituara që morën, pasi Lituania në momentet e fundit u hodh krejtësisht në sulm. Kemi luajtur si ekip, që është shumë e rëndësishme."
Zhegrova e Krasniqi i bënë detyrat e tyre në mënyrë fantastike sipas Franco Fodës, ku shtoi se ylli i Lilles kreu edhe detyra mbrojtëse për të cilat ka biseduar me lojtarin para ndeshjes.
"Të dy janë shumë lojtarë të mirë. Edoni e ka treguar veten te Lille, por edhe te ne. Kam pasur bisedë të gjatë me të para ndeshjes, ku i kam treguar se çfarë dëshiroj nga ai. Ai e ka bërë punën e tij në mënyrën më të mirë, madje ka kontribuar edhe në mbrojtje. Në anën tjetër, Ermali ka bërë hap të madh me transferimin te Sparta e Pragës, ka arritur në një nivel tjetër. Është një lojtar me shumë kualitet, ka qenë vendim i vështirë për mua të mos e fus në lojë nga minuta e parë, por e kam ditur që kur të hyjë do të japë diçka më shumë për skuadrën dhe këtë e bëri me një paraqitje shumë të mirë."
Trajneri nuk pati koment për gabimin e portierit debutues Saipi, pasi tha se duhet ta rishikojë rastin, por që tha se ai pati ndeshje të mirë sot.
"Amir Saipi bëri ndeshje të mirë, ishte paraqitja e tij e parë për Kosovën. Për golin e pranuar nuk mund të flas momentalisht, pasi nuk e kam rishikuar, duhet ta shohë, për ta analizuar."
Në fund, ai foli për fushën, ku tha se nuk ishte në gjendje të mirë, por që pavarësisht kësaj, do duhet të shënonin gola më shumë.
"Po, fusha nuk ishte në kushtet më të mira, prandaj edhe nuk kemi stërvitur në këtë fushë dje. Por të dy skuadrat luajtëm në të njëjtën fushë dhe këtë duhet ta kemi parasysh. Kemi mundur të shënojmë më shumë gola, gjë që nuk e bëmë, prandaj edhe ndeshja u komplikua për t'u bërë më dramatike në fund."