Formacionet zyrtare: Sivasspor – Ballkani - NACIONALE

Formacionet zyrtare: Sivasspor – Ballkani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sonte, me fillim në ora 18:45, Ballkani do ta luajë ndeshjen e radhës në Ligën e Konferencës si mysafir ndaj Sivassporit.

Ballkani në këtë ndeshje vjen me disa lëndime, por përgjithësisht nga një formë e mirë në kampionat, ku në tre ndeshjet e fundit ka ngadhënjyer me fitore.

Formë krejtësisht ndryshe gëzon rivali i vet turk, Sivasspor, i cili është në krizë të thellë në kampionatin turk, duke u renditur në vendin e 17-të me vetëm 4 pikë të tubuara. Megjithëse, ecuria e tij është tërësisht tjetër në Ligën e Konferencës, ku zë vendin e dytë me 4 pikë të tubuara, po aq sa ka edhe Slavia Praha në vendin e parë. Ndërkaq Ballkani dhe Cluj kanë vetëm një pikë.

Ilir Daja kështu ka vendosur që ta rreshtojë skuadrën në fushë, me këtë formacion titullar.

Ai është i vetëdijshëm se një humbje e radhës do t’ia bënte thuajse të pamundur ëndrrën për t’u kualifikuar, edhe pse objektivi i klubit vetëm se është arritur me plasmanin në grupe të këtij kompeticioni evropian.

Çfarë deklaruan në konferencë për shtyp para ndeshjes Daja dhe Rrahmani?

Në konferencë për shtyp, si Daja ashtu edhe Rrahmani treguan se e dinë nivelin e lartë të skuadrës turke.

Tekniku shqiptar konfirmoi mungesën e tre futbollistëve, por beson që lojtarët e tjerë që do të luajnë nga minuta e parë do ta tregojnë kualitetin.

"E dimë që nesër do të jetë vështirësia pasi përballë kemi ekipin e Sivarssporit që janë vendas dhe së bashku me Slavia Praha kryesojnë në tabelë. Ne pavarësisht pikëve të fituar, në aspektin e lojës kemi bërë të mira. Ajo që do të jetë vështirësi është mungesat në formacionin e parë, por ana e mirë është që lojtarët që do jenë në formacionin bazë do të kenë fatin të tregojnë vetën ndaj një kundërshtari si Sivarsspori".

Ai foli edhe më detajisht për vlerat e ekipit kundërshtar: "Përveç moshës dhe eksperiencës në kampionatin turk, kanë eksperiencë në përballjet e Evropës, ndërsa ne jemi të rinj jo vetëm në moshë, por është hera e parë që marrim pjesë në Ligën e Konferencës. Nesër ndoshta do të kemi një ku eksperienca e lojtarëve do të përballet me energjinë e lojtarëve të mi dhe një përplasje e tillë do të vlerësojë edhe spektaklin në stadium."

I pyetur se cilët janë futbollistët që mungojnë, Daja nuk zbuloi emrat përmes Astrit Thaqit që tashmë dihet që është i suspenduar, pasi u ndëshkua direkt me të kuq në ndeshjen e fundit ndaj Slavia Prahës.

"Kemi dy apo tre lojtarë që nuk do të jenë nesër, që janë lojtarë të rëndësishëm në formacionin tonë. Ajo që është e deklaruar është mungesa e Thaqit (Astrit), që është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e kaluar me Slavia Praha. Sigurisht lojtarët vetëm do të motivohen edhe më shumë se në ndeshjet në kampionat".

Ndërkohë, qendërsulmuesi Rrahmani theksoi se kanë kryer “detyrat e shtëpisë”, duke organizuar kundërshtarin e tani duan rezultat pozitiv.

"Është kënaqësi që bëjmë gara në kompeticion. Jemi në rrethin e tretë dhe shpresoj që nesër të dalim me një rezultat pozitiv. Kemi përballë një skuadër si Sivarsspori që ka kualitet dhe pse jo që të mos marrim rezultat pozitiv".

"Patjetër që e kemi organizuar se bashku me trajnerin. I dimë të gjitha pikat e forta dhe të dobëta të tyre, Sivarsspor është një ekip me mjaftë përvojë me lojtarë cilësorë, por ne shkojmë që të japim 100 për qind dhe të marrim rezultat pozitiv, e të mos kthehemi në Kosovë së paku pa një pikë".

Lajme të ngjashme