Florentino Perez thotë se Joselu do të jetë transferimi i fundit i Real Madridit për këtë verë
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ka pranuar se Joselu do të jetë prurja e fundit e klubit madrilen për këtë verë.
Real Madrid ka nënshkruar me dy futbollistë këtë afat veror si Jude Bellingham dhe Fran Garcia, derisa edhe ka rikthyer në skuadër Brahim Diazin.
Sidoqoftë, klubi madrilen nuk do të bëjë më investime të tjera përpos huazimit të qendërsulmuesit së Espanyolit, Joselu.
Derisa po i jepte një autograf, një tifoz e pyeti “A është kryer nënshkrimi i Joselus?”, ku Perez iu përgjigj “Po, ai do të arrijë javën tjetër”.
Pastaj, tifozi i bëri edhe një tjetër pyetje: “A do të ketë më transferime të tjera”, me Perez që iu përgjigj haptas “Jo”.
🤔Aficionado: "¿VENDRÁ ALGUIEN MÁS (al margen de Joselu)?"
— El Chiringuito TV (@elchiringuitotv) June 18, 2023
🚨FLORENTINO PÉREZ: "NO"🚨
📹Dani15rm pic.twitter.com/ieJdhbOmml
Kësisoj, pavarësisht largimit të Karim Benzemas, Real Madrid edicionin tjetër mesa duket në aspektin ofensivë do të ketë vetëm Vinicius Juniorin, Rodrygon, Brahim Diazin dhe Joselun.
Që sa javë ka raportime për nënshkrimin e mundshëm me Harry Kane ose Kylian Mbappe, mirëpo Reali nuk dëshiron të investojë vlera të larta për ndonjërin futbollist.
Dëshira e madhe e klubit mbetet Mbappe, i cili ka bërë të ditur se do të qëndrojë në “Parkun e Princave” edhe në edicionin 2023/24.
Në bazë të raportimeve të fundit, Real Madrid planifikon të nënshkruajë parakontratë me Mbappen në janar, meqenëse francezi i ka konfirmuar klubit se nuk do ta aktivizojë klauzolën e rinovimit.
Përndryshe, Real Madrid do të zyrtarizojë edhe rinovimin e kontratave të yjeve si Luka Modric, Toni Kroos, Nacho dhe Dani Ceballos.