Florentino Perez: Futbolli po e humb betejën me sportet amerikane, koha për Superligën Evropiane
Florentino Perez ka thënë se futbolli është “sëmurë” dhe po e humb betejën globale të argëtimit me sportet amerikane, duke këmbëngulur se Superliga Evropiane është mënyra e vetme për ta ruajtur futbollin si sportin më popullor në botë.
Presidenti i Real Madridit – i cili i bëri këto komente gjatë takimit të përgjithshëm vjetor të klubit të dielën – është njëri nga përkrahësit më të mëdhenj të krijimit të ligës ndarëse qëkur dhjetëra klube tentuan ta nisnin atë në prill 2021.
Projekti i Superligës Evropiane dhe shtëpitë e futbollit po e presin një vendim të Gjykatës Evropiane për Drejtësi, i cili pritet të jepet në dhjetor, për atë nëse UEFA e shkeli ligjin evropian për garat duke u përpjekur ta ndalë këtë projekt.

“Për ta ndrequr një telash, duhet së pari ta pranosh që përballesh me një telash”, tha Perez.
“Sporti jonë është sëmurë. Po e humb primatin si një sport global... nuk duhet të hutohemi nga ndikimi i ecurisë së Real Madridit në Ligën e Kampionëve (sezonin e kaluar) kur ishim të përfshirë në shtatë ndeshje të interesit dhe intensitetit më të lartë”, nënvizoi shefi i kampionit spanjoll.
“Kjo ndodhi si pasojë e shortit dhe cilësisë dhe madhështisë së ekipit tonë. Ishte një spektakël që e ktheu ngazëllimin tek shikuesit. Prandaj ne mendojmë se garat evropiane duhet të ndryshojnë patjetër, për t’iu ofruar tifozëve ndeshje të nivelit më të lartë çdo vit mes ekipeve më të forta, ku garojnë lojtarët më të mirë”, theksoi Perez.

Perezi e krahasoi numrin e përballjeve mes klubeve të mëdha evropiane me numrin e përballjeve të nivelit më të lartë në sportet e tjera.
“Në tenis, Rafael Nadal dhe Roger Federer janë përballur mes vete 40 herë në 15 vite. Nadal dhe Novak Djokovic i kanë zhvilluar 59 përballje në 16 vite. Në futboll, ne jemi përballur me Liverpoolin vetëm nëntë herë në 67 vite. Me Chelsean kemi luajtur vetëm katër herë në historinë e Ligës së Kampionëve. A ka kuptim t’i privojmë tifozët nga gjithë këto ndeshje?”
Ai e nënvizoi renditjen e fundit të revistës Forbes që tregon se si klubet e futbollit po ngelin mbrapa ekipeve amerikane.
“Ne ishim të partë në të gjitha sportet, tani kemi rënë në vendin e 13-të. Jemi tejkaluar në 12 klube të sporteve amerikane. Futbolli po e humb betejën globale për argëtim kundër sporteve të tjera”, përfundoi ai.
Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi vijojnë të jenë tri prej 12 klubeve themeluese të Ligës Evropiane që ende e përkrahin publikisht këtë projekt, edhe pas tërheqjes së Arsenalit, Chelseat, Liverpoolit, Manchester City, Manchester Unitedit, Tottenhamit, Interit, Milanit dhe Atletico Madridit.