Flaka Loxha e Erza Muminoviq pa medalje në Abu Dhabi Grand Slam
Xhudistet kosovare, Flaka Loxha e Erza Muminoviq nuk kanë arritur ta fitojnë medaljen e bronztë në Grand Slamin që po mbahet në Abu Dhabi, pasi të dyja u mposhtën në finale të repesazhit.
Loxha fitoi dy përballje, ndërsa Muminoviq vetëm një, për të mbetur pa medalje nga Abu Dhabi.
25-vjeçarja që në këtë garë trajnere e kishte Majlinda Kelmendin, e nisi me një fitore ndaj ruses, Natalia Elkina, pasi kjo e fundit mori tri shido.
Në çerekfinale pati punë me brazilianen, Sarah Souza, ndaj të cilës fitoi gjithashtu pasi kundërshtarja mori tri ndëshkime, kështu për të kaluar në gjysmëfinale.
Loxha humbi në gjysmëfinale ndaj xhudistes gjermane me shumë përvojë, Seija Ballhaus, por që fitoi të drejtën për të luftuar në repesazh për medalje të bronztë.
Në përballjen e fundit për medalje, kishte punë me xhudisten nga Azerbajxhani, Acelya Toprak, të cilën po e dominonte, madje e vuri në vështirësi për të marrë dy shido, por një gabim në momente vendimtare, bëri që kundërshtarja e saj të fitonte në Golden Score, me Flaka Loxhën që përfundimisht mbeti pa medalje.
Në anën tjetër, Muminoviq e nisi nga çerekfinalja, duke fituar ndaj garueses së madhe franceze, Astride Gneto, për të kaluar në gjysmëfinale.
Në gjysmëfinale, Khorloodoi Bishrelt e mposhti kosovare, por kjo e fundit siguroi mundësinë për të garuar për të bronztën nëpërmjet repesazhit.
Në repesazh, ndonëse ishte në epërsi pas një Waza-ari, në fund pësoi humbje nga Lea Metrot, e cila e fitoi përballjen me një Ippon.
Kështu, si Erza edhe Flaka, mbetën pa medalje nga Abu Dhabi, edhe pse ishin vetëm një fitore larg kësaj arritje.
Në këtë turne, në ditët në vazhdim do të paraqitet edhe një garuese nga Kosova. Bëhet fjalë për Debora Gjakovën, që do garojë në kategorinë deri 63 kilogram nesër, ku në 1/8 e finales takohet me Briggita Varga nga Hungaria.