Fitojnë Prishtina dhe Gjilani, Trepça '89 me rikthim triumfon ndaj Llapit - NACIONALE

Fitojnë Prishtina dhe Gjilani, Trepça '89 me rikthim triumfon ndaj Llapit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

FC Prishtina ka shënuar fitore komode ndaj Ferizajt (2:0), derisa Gjilani mposhti në udhëtim Malishevën (0:2), kurse Trepça '89 me rikthim arriti ta fitojë derbin ndaj Llapit (2:1), në kuadër të xhiros së 29-të në Superligën e Kosovës.

Derbi më interesant padyshim ishte në kryeqytet, ku Prishtina u këndell nga humbja prej Dukagjinit duke mposhtur Ferizajin me rezultat 2:0.

Vendasit ishin më të mirë gjatë tërë kohës dhe ndoshta me plot meritë arkëtuan pikët e plota.

Ishte Kryeziu që kaloi Prishtinën në epërsi në përfundimin e pjesës së parë duke shënuar nga pika e bardhë (45+3').

Ndërsa, mesfushori Ermal Krasniqi vulosi fitoren me një gol të bukur ku dribloi edhe portierin (74').

Pas kësaj fitore, Prishtina merr pozitën e katërt me 41 pikë, derisa Ferizaj bie në vendin e tetë me 31 sosh.

Gjilani gjithashtu ka shënuar fitore, këtë herë si mysafir i Malishevës me rezultat 0:2.

Pas vetëm 12 minutave lojë, Bilalli pas një asistimi të saktë të Arbnor Ramadanit kaloi Gjilanin në epërsi.

Ndërsa, Mevlan Zeka dyfishoi epërsinë duke shënuar me kokë pas një tjetër asistimi të saktë të Ramadanit (31').

Gjilani kishte mundësi për ta thelluar edhe më shumë këtë epërsi, por u mungoi finalizimi.

Me këtë fitore, Gjilani mban pozitën e tretë me 43 pikë derisa Malisheva bie në vendin e nëntë me 30 sosh.

Në anën tjetër, Llapi ka pësuar humbje në udhëtim te Trepça '89 me rezultat 1:2.

Mysafirët kaluan fillimisht në avantazh përmes mbrojtësit Ilir Krasniqi, i cili shënoi një gol të bukur (25').

Skuadra mitrovicase përfitoi nga një gabim në mbrojtje duke gjetur golin me anë të Abdullah Oyekanmi, që ishte i saktë përballë portierit.

Kur askush nuk e priste, ishte Sahiti që realizoi një gol të bukur për përmbysjen e madhe (90+3').

Pas kësaj humbje, Llapi zë vendin e pestë me 39 pikë derisa Trepça '89 tani ngrihet në vendin e shtatë me 33 sosh.

Lajme të ngjashme