KATAR 2022 | FIFA e çon në shtëpi gjyqtarin Mateu Lahoz, pak ditë pasi Messi e kritikoi publikisht
Mateu Lahoz nuk do të gjykojë në asnjë ndeshje të mbetur të Kupës së Botës 2022, pasi FIFA ka vendosur ta kthejë në shtëpi, sipas mediave ndërkombëtare.
Ndeshja e fundit e tij në Katar ishte përballja e egër çerekfinale mes Argjentinës dhe Holandës, në të cilën ai theu rekordin duke ndarë 18 kartonë të verdhë.
Puna e Lahozit në atë ndeshje nuk u prit aspak mirë nga asnjëra skuadër, me lojtarët argjentinas në veçanti që e kritikuan ashpër publikisht.
Ylli dhe kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, ishte më i zëshmi në kritikat e tij kundër Lahozit dhe po ashtu i pari që i bëri thirrje FIFA-s të mos caktojë gjyqtar të nivelit të tij në ndeshje të tilla.
“Mendoj se FIFA duhet të kujdeset për këtë, nuk mund ta caktojë një gjyqtar të tillë për një ndeshje kaq të madhe, kaq të rëndësishme. Gjyqtari nuk duhet të dështojë në detyrën e tij”, kishte thënë Messi pas ndeshjes që Argjentina e fitoi në penallti kundër Holandës.

Dhe duket se dëshira e Messit është plotësuar nga FIFA, e cila ka vendosur të mos e caktojë Lahozin në asnjërën prej katër ndeshjeve të mbetura në këtë Botëror.
Messi dhe shokë do të përballen me Kroacinë në gjysmëfinalen e parë të martën mbrëma, ndërsa befasia e këtij turneu Maroku do të takohet me Francën në gjysmëfinalen tjetër një ditë më vonë.
Finalja do të zhvillohet të dielën më 18 dhjetor.

