FFK-ja mirëpret reagimin e shpejt të FIFA-s për pankartat nacionaliste serbe
Dje shtëpia e futbollit botëror, FIFA, njoftoi se ka hapur rast disiplinor ndaj skuadrës serbe, pasi këta të fundit gjatë ndeshjes me Brazilin kishin bartur pankarta nacionaliste, ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb. Sot FFK njofton se e ka mirëpritur reagimin e shpejtë të institucionit më të lartë të futbollit botëror.
Rasti disiplinor filloi për shkak se këto pankarta nuk kanë të bëjnë me sportin dhe FIFA dënon ashpër këto veprime çdo herë që përballet me situata të tilla.
Reagimi i plotë nga FFK pa ndërprerje:
FFK mirëpret inicimin e procedurës disiplinore të FIFA-s ndaj FF të Serbisë
27 nëntor, 2022 – Jemi të lumtur të shohim reagimin e shpejtë të FIFA-s, me rastin e fillimit të hetimit kundër Federatës së Futbollit të Serbisë pas shfaqjes së banerit me hartën e Kosovës me flamurin serb brenda saj dhe me mesazhe urrejtje dhe luftnxitëse në zhveshtoren e përfaqësueses serbe dhe në stadium, në ndeshjen ndërmjet Brazilit dhe Serbisë, në kuadër të Kupës së Botës në Katar.
Nga FIFA kemi marrë konfirmimin për pranimin e ankesës sonë dhe njëherësh kemi marrë vlerësimin e tyre të lartë për FFK-në, që përkushtohet për ruajtjen e integritetit e reputacionit të futbollit dhe që ankesa jonë tregon përkushtimin tonë në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të cilat i afirmon FIFA.
Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me organet përkatëse të FIFA-s për çdo informatë ose dokument shtese nëse kanë nevojë lidhur me hetimin e këtij rasti. Po ashtu, si FFK do jemi çdoherë të gatshëm të ruajmë dinjtetin e futbollit dhe reputacionin e Kosovës, duke reaguar dhe vepruar konform mekanizmave të FIFA-së dhe UEFA-s, në të cilat bëjmë pjesë.
