Fernandes ‘i lumtur’ nëse Ronaldo largohet nga Manchester United
Mesfushori i Manchester United, Bruno Fernandes, ka komentuar situatën në të cilën gjendet bashkëlojtari i tij Cristiano Ronaldo, duke thënë se do të jetë i lumtur me të në çfarëdo vendimi që të merr, qoftë edhe largimi i tij drejt një skuadre tjetër.
Fituesi i pesëfishtë i Topit të Artë, Ronaldo, nuk ka qenë asnjëherë më i përfolur në tregun e afatit kalimtar se këtë vit dhe këtë afat.

Që nga përfundimi i një sezoni të turpshëm të skuadrës së tij, ai ka kërkuar një skuadër të re, ku do mund të luante në garën më të madhe evropiane, Ligën e Kampionëve. Pasi djajtë e kuq përfunduan në sezonin që kaloi në pozitën e gjashtë, kjo nuk është e mundur me ta, kështu që Ronaldo ende ka apetit të luajë në këtë garë.
Bashkëlojtari dhe bashkëkombësi i tij, Fernandes, ka folur për këtë pjesë, duke thënë se është mirë të pritet ai se çfarë ka për të thënë për planet e së ardhmes.
Çfarë thotë Fernandes për Ronaldon?
Duke folur për Eleven Sport për Ronaldon, Bruno tha: “Ka shumë spekulime, por nuk ka asnjë më të mirë, se me të për të folur për këtë pjesë. Ndoshta unë i di disa gjëra, por nuk do të jem ai që do t’i them ato.”

“Tani për tani ai është lojtar i United, nuk e di për të ardhmen e tij, nëse ai do të largohet apo do të qëndrojë. Siç e tha edhe vet, ai do të flasë së shpejti dhe të gjithë do ta kenë kohën për ta dëgjuar fjalën e tij dhe çfarë ka për të thënë”, thotë mesfushori portugez në vazhdim.
Tutje ai shton: “Nuk mendoj se ndonjëri këtu ka shfaqur mosinteresim për Cristianon, pra për mos qëndrimin e tij. Ai mund të luajë ende në nivelin e lartë dhe të na jap shumë gola, por atij i takon vendimi. Ne duhet ta respektojmë atë se çfarë do ai, çfarëdo që të jetë dëshira e tij.”
Për fund 27-vjeçari tha se do të jetë i lumtur me çdo vendim që merr bashkëlojtari i tij te Portugalia dhe për momentin te Manchester United.
“Nëse ai do të qëndrojë, ne do të jemi të lumtur për të, nëse ai largohet sepse mendon se është më e mira për të, unë personalisht do të jem i lumtur për të. Gjëja më e rëndësishme është se ai është mirë, në nivelin më të lartë dhe po vazhdon ta bëjë vendin e tij krenarë.”

