Neville i drejtohet Ronaldos: Ngrihu në këmbë dhe fol
Deklarimi i mbrëmshëm i Cristiano Ronaldos në rrjetin social "Instagram", ka ngjallë një mal reagimesh. Gary Neville nuk mund të mos përfshihej në këtë debat.
Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë temë diskutimi. Emri i tij është lakuar tej mase, edhe për faktin se insiston të largohet nga Manchester United, veçmas në kemi parasysh çështjen e mospjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve, gjë e cila për të është shumë e rëndësishme.
Meqë deklaratat e yllit 37-vjeç zgjuan jehonë të madhe, në këtë debat u përfshi edhe Gary Neville, si ish-legjendë e klubit.
Në këtë rast, ish mbrojtësi anglez shprehu habinë e tij enorme se si ka mundësi që ish-bashkëlojtari i tij, Ronaldo, të mos flasë publikisht që tani, por ta paralajmërojë një gjë të tillë më vonë. Kjo heshtje e tij duket se i ka penguar tejet shumë Nevillet.
Deklarata e plotë e Neville
Përmes një shkrimi që publikoi në rrjetin social "Twitter", Gary Neville dha mendimin e tij në lidhje me situatën kaotike që po e shoqëron Cristiano Ronaldon rreth të ardhmes së tij, e mbi të gjitha për deklaratat e pesë herë fituesit të Topit të Artë.
"Pse lojtari më i mirë i të gjitha kohërave duhet të presë dy javë për t'ua thënë të vërtetën tifozëve të Manchester Unitedit? Ngrihu tani dhe fol. Klubi është në krizë dhe ka nevojë për një lider që e udhëheq. Ai është i vetmi që mund ta përmbyllë si duhet këtë situatë", ka shkruar Neville.
Neville vazhdon të jetë shumë i zëshëm në raport me katandisjen që e ka kapluar Manchester Unitedin, përfshirë edhe situatën me Cristiano Ronaldon, ku akoma është enigmë e ardhmja e lojtarit portugez.
Çfarë tha Cristiano Ronaldo?
Së fundi, Cristiano Ronaldo ka qenë shumë i pranishëm në disa dalje publike, shpeshherë të përçudshme, ku u ka reaguar faqeve të ndryshme në rrjetet sociale, veçanërisht atyre në "Instagram", teksa kanë shkruar për të ardhmen e tij.
Një gjë të tillë e ka bërë edhe gjatë orëve të fundit, ku në gjuhën e tij amtare, atë portugeze, ka paralajmëruar të gjithë atë se çfarë do të ngjajë gjatë javëve në vijim.
"Do ta dini të vërtetën pas disa javëve, kur do ta publikoj një intervistë. Mediet po gënjejnë. Kam një kolazh në shëtepi, ku prej 100 lajmeve të publikuara, vetëm 5 janë të vërteta. Ndiqeni këtë kurreshtje", ka shkruar Ronaldo.
Cristiano Ronaldo ka edhe një vit tjetër kontratë të vlefshme me Manchester United. Mungesa e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve, kompeticionin më të çmuar nga ai, po e bën atë që ta shtyjë përpara një largim nga klubi më i trofeshëm në Premierligë.
Sidoqoftë deri më tani klubet e mëdha kanë refuzuar edhe publikisht që janë të interesuar për shërbimet e tij. Me anë të deklarimeve publike një gjë të tillë e kanë thënë zëshëm nga drejtuesit e klubit të Bayernit, Chelseat, PSG dhe klubeve të tjera.
Mosha e shtyrë që ka ylli portugez, si 37-vjeçar, del të jetë njëra prej arsyeve më të forta pse shumë klube ngurrojnë që të bëjnë ndonjë ofertë konkrete për të.