Ferizaj emëron në pozitën e trajnerit kroatin Andrej Panadic
Pas dorëheqjes që vetofroi nga pozita e trajnerit të Ferizajt, Arbnor Morina, tashmë klubi jug-perëndimor i Kosovës ka njoftuar se ka emëruar një trajner të ri.
Ferizaj tani e tutje do të drejtohet nga trajneri kroat Andrej Panadic. Lajmin e ka bërë të ditur vetë faqja e klubit në rrjetin social “Facebook”.
Rikthimi i skuadrës në Superligën e Kosovës po kalon në një periudhë amollie, me mungesë rezultatesh, duke zënë pozitën e fundit me 8 pikë.
Si rrjedhojë e një fillimi kaq të dobët të kampionatit, ku në ndeshjen e fundit barazoi me Gjilanin 1:1 dhe ku nuk din për fitore në katër takimet e fundit – drejtuesit e klubit kanë menduar që të sjellin freski të re në timonin e skuadrës, duke ia besuar atij Pandicit.
Njoftimi i Ferizajt për emërimin e Pandic (pa ndërhyrje)
"Kroati Andrej Panadic, trajneri ri i FC Ferizaj
FC Ferizaj, ka knaqësi të ju informoj se në orët e pasditës kemi arritur marrëveshje bashkëpunimi me trajnerin e njohur nga Kroacia, Andrej Panadic.
Panadic është një ndër figurat më të respektuara të futbollit kroat. Ai ka lindur në Zagreb dhe është 53 vjeçar. Trajneri i ri Panadic ka zhvilluar një karrierë të jashtëzakonshme si lojtarë.
E nisi me ekipen më të madhe kroate, Dinamo Zagreb për 6 vite, për të kaluar në Bundesligën gjermane tek Hamburg e për të përfunduar në Austri tek Sturm Graz. Ndërsa ka mbrojtur edhe ngjyrat edhe të Jugosllavisë gjatë viteve 1989-1990.
Ndërsa karrieren e trajnerit e ka filluar tek ekipa Radnik, pastaj në LASK Linz të Austrisë, Istra dhe së fundmi ishte në Rudar Velenje.
Trajneri Panadic në të kaluarën ka qenë bashkëpunuar edhe me trajnerë të rëndësishëm si Niko Kovac, Ante Cacic dhe Zlatko Dalic.
Vendimi për të nënshkruar me trajnerin Panadic, ka ardhur pas mbledhjes së Bordit Drejtues të FC Ferizajt.
Me këtë rast, presidenti i ekipit, Lulzim Abazi është shprehur i kënaqur që është arritur marrëveshja me një trajnër që është figurë e rëndësishme e futbollit evropian dhe se shpreson se përvoja e dijet e fituara do të shërbejnë për ngritjen e cilësisë ekipit të FC Ferizaj.
Tutje Abazi është shprehur se gjatë ditës së nesërme, Panadic do të zbarkoj në Kosovë për ta nënshkruar edhe zyrtarisht marrëveshjen në ambientet e klubit të FC Ferizaj", shkruhet në njoftimin e Ferizajt.

